I arrestuari: Do t’i zbuloj emrat e krejt inspektorëve që e montuan rastin e Kumanovës

Lajme

I arrestuari: Do t’i zbuloj emrat e krejt inspektorëve që e montuan rastin e Kumanovës

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 16:32

Krejt kjo është një lojë në të cilën janë të involvuar njerëz të punësuar në DSK, identitetin e të cilëve do ta zbuloj në vazhdim të procesit gjyqësor. Nëntë muaj jam në arrest dhe krejt kjo ndikon mbi shëndetin tim, por edhe ndaj psikes time. Një ditë kur do të përfundojë ky proces dhe nëse lirohem, por edhe nëse MPB më kthen sërish në punë, unë për shkak të parimeve të mia nuk od të mundem ta pranoj atë dhe nuk do të mundem të kthehem në punën time të cilën e dua aq shumë, sepse është rrënuar autoriteti im, tha polici i arrestuar nga Kumanova, Arsim Bajrami, i cili është i akuzuari i fundit nga grupi i Kumanovës.

Prokuroria e akuzon këtë grup se më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar, si grup terrorist kanë luftuar me policinë në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Bajrami është polic nga fshati Vaksincë, i cili u arrestua nën akuzë se ka ndihmuar Grupin e Kumanovës.

“Ata dëshirojnë që përmes meje si pjesëtarë i MPB-së t’i fshehin lojërat e tyre. Dëshirojnë të thonë se unë e kam ndihmuar këtë grup. Kjo është rrenë e thjeshtë. Edhe po të kem pasur rast të jem pjesë e një gjëje të tillë, asnjëherë nuk do të kish pranuar sepse ajo është vetëm se lojë e dikujt”, theksoi Bajrami.

Elenko Malinov, avokat i të akuzuarit Bekim Kabashi, tha se më 9 maj, njësitet speciale policore janë nisur me urdhër gjykate të arrestojnë persona që gjoja kanë qenë të involvuar në tregti me drogë, e jo siç thoshte kreu policor, për të kërkuar terroristë.

“Nëse është e vërtetë ajo që shkruan në aktakuzë, atëherë klienti im nuk mund të akuzohet për terrorizëm, sepse ato janë dy vendime krejtësisht të ndryshme. Nëse ka qenë aksion me urdhër gjykate, atëherë ai mund të akuzohet për pengim të policit në kryerjen e detyrës zyrtare, e jo të akuzohet si terrorist”, tha Malinov.

Për berberin nga Lagja e Trimave, Irfan Lutfiu, avokati i tij tha se është arrestuar vetëm për shkak se ka jetuar në rrugën “Tode Mendoll” në Lagjen e Trimave.

“Klienti im asnjëherë nuk ka grumbulluar para, e as gjoja ka siguruar ushqim dhe strehim, e as që ka pasur kontakt me dikë nga ky grup. Ai ëhstë berber dhe nuk e njeh personalisht asnjërin prej të akuzuarëve”, deklaroi avokati Asmir Alispahiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat