“Al Jazeera”: A është Shqipëria ndalesa e radhës e refugjatëve?

Lajme

“Al Jazeera”: A është Shqipëria ndalesa e radhës e refugjatëve?

Më: 11 mars 2016 Në ora: 17:44

Rrejti ndërkombëtar mediatik “Al Jazeera” i ka kushtuar një artikull krizës së refugjatëve, me titull: “A është Shqipëria ndalesa e radhës e refugjatëve?”

Shkrimi nis me fjalët: “Vendi që ka një histori të ngjashme emigrimi, mund ta gjejë veten së shpejti në qendër të krizës së refugjatëve në Evropë”.

“Sot, situata politike në Shqipëri është stabilizuar disi, megjithatë rreth 100 km larg kufirit Greqi-Maqedoni, dhjetëra mijëra refugjatë kryesisht sirianë dhe irakianë vazhdojnë të vijnë. Mbyllja së fundmi e rrugës ballkanike dhe përshkallëzimi i shpejtë i krizës humanitare në Greqi po i drejton shumë refugjatë të mendojnë nëse Shqipëria është e gatshme për një fluks emigrantësh në një tjetër kufi të Shqipërisë”, shkruan “Al Jazeera”.

Media e përshkruan një terren të vështirë kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku thekson se ka “male, humnera, pyje të dendura dhe shenja që përgjatë autostradës paralajmërojnë për arinj dhe ujqër”.

“Ata vijnë me mijëra çdo natë, të veshur me rroba të leckosura, disa me fëmijë në krah. Duke sfiduar temperaturat nën zero ata ngjiten më këmbë nëpër terrenin me dëborë në malet e thepisura shqiptare. Raportimet për anijet me refugjatë siç po ndodh aktualisht, ishin të zakonshme në vitet ’90 në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës kalonin ilegalisht Adriatikun”, shkruan “Al Jazeera”

Më tej rrjeti mediatik ngre pyetjen, nëse mundet ky vend kaq i varfër të akomodojë mijëra refugjatë. “Al-Jazeera” citon përfaqësuesen e UNHCR-së në Tiranë, Marie Verney e cila thotë se pavarësisht se janë disa baraka ushtrie gati për emigrantët, ka mungesë stafi dhe burimesh.

“Kanë disa baraka ushtrie në kufirin jugor, thonë që janë gati të përdoren për akomodim, por nuk janë gati. Ka mungesë stafi dhe burimesh. Ka një pikëpyetje të madhe këtu. Imagjinoni, ka mijëra njerëz në Greqi, po kur sheh Shqipërinë, pas disa pak qindrave kapaciteti tejkalohet shumë shpejt. Çfarë ndodh pastaj? Qeveria shqiptare ka qenë jashtëzakonisht ngurruese të angazhohet publikisht me çfarëdo planifikimi sepse thonë ‘nëse flasim për këtë në media, refugjatët do nisen të vijnë’. Por ne u themi, ‘ata do të vijnë, bëni ose nuk bëni ju ndonjë plan’ ”, thotë Verney.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një deklarate në shkurt është shprehur se Shqipëria nuk ka as kushtet që të hap e vetme kufijtë, por ka theksuar se vendi ynë nuk do të ngrejë mure përballe një krize të tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat