Fillon zhvendosja e refugjatëve nga Idomeni në kampet tjera greke

Lajme

Fillon zhvendosja e refugjatëve nga Idomeni në kampet tjera greke

Më: 11 mars 2016 Në ora: 18:42

Refugjatët në Idomeni kanë filluar të zhvendosen në kampet e tjera greke.

Këtë e kumtoi sot koordinatori I UNHCR-së Babar Baloch i cili tha se në kampet e ndërtuara nga qeveria greke refugjatëve do tu sigurohen kushte më të mira për jetesë për dallim nga ato në të cilat kanë qenë deri tani, ndërsa më pas ata të cilët do të pranojnë të transferohen do t'u mundësohet të aplikojnë në programin e BE-së për zhvendosjen e refugjatëve në vende të tjera evropiane.

“Plani i Bashkimit Evropian për zhvendosjen e refugjatëve është një program me të cilin vendet e ndryshme evropiane do të pranojnë refugjatë, duke u bazuar në numrin sa janë dakorduar më herët. Mirëpo, problemi është se ky numër është shumë i vogël. Aktualisht bëhet fjalë për një numër prej 600 refugjatësh të cilët kanë filluar këto procedura, ndërsa numri këtu është shumë i madh. BE-ja duhet të vërejë këtë realitet dhe të ndihmojë Greqinë në përshpejtimin e procesit”, d eklaroi koordinatori i UNHCR, Babar Baloch.

Ndërkaq pavarësisht marrëveshjes paraprake mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian, fluksi i emigrantëve nuk është reduktuar. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në brigjet greke kanë mbërritur të paktën 2.300 refugjatë. Qeveria e Greqisë ka bërë me dije se situata po del jashtë kontrollit në kushtet kur Maqedonia ka mbyllur kufijtë duke lënë të bllokuar më shumë se 41.000 emigrantë në territorin helen. Maqedonia nga dita e hënë e ka mbyllur plotësisht kufirin, pas vendimit për mbylljen e “Rrugës Ballkanike” për refugjatët ilegalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat