Maloku: Kosova s’ka fuqi për ta liruar Gafurr Dugollin

Lajme

Maloku: Kosova s’ka fuqi për ta liruar Gafurr Dugollin

Më: 16 mars 2016 Në ora: 13:26

Eksperti i sigurisë, Naim Maloku, ka thënë se Kosova është e pafuqishme karshi Serbisë që kërkon ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak që nuk është anëtare e Interpolit.

Maloku ka thënë se çdo shtet që është anëtare e Interpolit ka për obligim që kërkesat e një shteti tjetër t’i marrë përsipër.

“Para disa viteve Serbia i ka pas 360 emra të kosovarëve në listën e Interpolit pasi që si shtet është anëtare e Interpolit. Kur një shtet i cili është anëtarë i Interpolit dhe e kërkon një person atëherë çdo shtet tjetër që është anëtarë i Interpolit e ka për obligim me e ndal atë person që është në kërkim. Kjo është marrëveshje dhe obligim ndërkombëtarë që e ka secili shtet e në rastin e fundit edhe Maqedonia”, ka thënë Maloku.

Sipas Malokut, krejt çka Kosova mund të bëj është t’i kërkoj Maqedonisë të mos e ekstradojë Gafurr Dugollin, ish pjesëtarin e UÇK-së, që ka një flet arrest nga Serbia, për krime lufte.

“Kosova nuk është në Interpol dhe as nuk është pranuar në organizatën e kombeve të bashkuara, nuk e ka fuqinë politike as diplomatike dhe nuk mundet të ndikoj në këto fletë arreste. Në rastin e Dugollit do të mund të ndikonte vetëm pasi që Maqedonia e ka njoftuar Kosovën dhe kjo e fundit mund të kërkoj në Ambasadën e Kosovës në Maqedoni që personi të mos ekstradohet”, ka thënë Maloku.

Maloku një pjesë të fajit e hedh te Qeveria e Kosovës, sepse nuk kanë kërkuar në negociata me Serbinë që të hiqen emrat nga këto lista.

“Në lidhje me këtë Qeverinë e Kosovës dhe ekipin negociator munden me e akuzu tani qytetarët e saj sepse para se me u ul në Bruksel dhe me i fillu bisedimet me Serbinë, ekipi negociator është dashtë me qit kusht çështjen e emrave nga Interpoli pasi që Kosova e ka dit se cilët janë ata emra por pasi që emri i Edita Tahirit dhe Blerim Shalës nuk ka qenë në atë listë atëherë normalisht që ata nuk janë mërzit për të tjerët. Kushti i parë që është dashtë me qenë para se të fillojnë bisedimet të hiqen 360 qytetarët tanë nga lista e Interpolit, por Kosova nuk e ka bërë këtë gjë”.

Ai ka thënë se nëse Gjykata e Maqedonisë nuk ka fakte të mjaftueshme duhet ta lirojë Dugollin. “Gjykata e Maqedonisë nëse nuk ka fakte të mjaftueshme për ta bërë ekstradimin e një personi atëherë duhet me e liru, siç pat ndodhë edhe në rastin e Haradinajt kur Gjykata Sllovene e ka liru në mungesë të fakteve”, ka thënë Maloku.

Disa herë janë ndaluar ish-udhëheqësit e luftës nga shtetet fqinje për shkak të flet arresteve nga Serbia. Rasti i fundit ka qenë me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që u ndalua në Slloveni, ku më pas edhe u lirua.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat