Britania, miku i madh i Kosovës

Lajme

Britania, miku i madh i Kosovës

Më: 18 mars 2016 Në ora: 10:57

Ndihma që i dhanë popullit të Kosovës dhe përkrahja e fuqishme në çlirimin e tij, e pasuar me mbështetje edhe në përcaktimin e statusit, e bënë Britaninë e Madhe një ndër shtet mike të para që njohën pavarësinë e Kosovës. Britania ka ndihmuar shumë në vendosjen e Kosovës në hartën botërore, si shtet i pavarur. Rrëfimi i një miqësie mes dy vendeve vazhdoj edhe pas shtet-ndërtimit të Republikës më të re në Evropë, përkrahja e britanezve është mjaft të madhe në ngritjen e kapaciteteve në fusha të ndryshme për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Vizita e Princit të Wales-it dhe Dukeshës së Cornwall-it, sot në Kosovë, është edhe një dëshmi që Kosova e gëzon mbështetjen dhe respektin e Britanisë.

Britania, vendi me një histori shumë të pasur ushtarake, po jep një mbështetje mjaft të madhe në fushë e sigurisë në Kosovë. Madje është shteti i parë që ka nënshkruar marrëveshje bilaterale me Republikën e Kosovës, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, në vitin 2009.

Sa të rëndësishme janë bashkëpunimet me Britaninë, tregon edhe fakti që një kolonel i ushtrisë britanike, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është këshilltar i Komandantit të FSK-së.

Dhe, shefi i ekipit këshillues të NATO-së (EKN), në Ministrinë e FSK-së, çdo herë është nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

E nga ky bashkëpunim i ngushtë, tashmë kanë 13 pjesëtarë të FSK-së të diplomuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake, Sandhurst(RMAS).

Princi Charles, i cili sot dhe nesër do të qëndroj në Republikën e Kosovës, po e viziton Kosovën për herë të dytë.

Vizita e tij e parë ka qenë në shatorin e vitit 1999, ku atë botë erdhi në Kosovë për të mbështetur trupat britanike që kishin ndihmuar në çlirimin e Kosovës, dhe vendosjes së paqes këtu.

Ardhja e dytë e Princit në Kosovë, nga njerëzit që kanë punuar në diplomacinë kosovare, po konsiderohet si shumë e rëndësishme.

Muhamet Hamiti, ambasadori i parë i Kosovës në Londër(2009-2012), tash profesor në Universitetin e Prishtinës, flet për vizitën e Princit Charles dhe bashkëpunimin në mes të dy vendeve.

Hamiti: Vizita tregon se Kosova mbetët në hartat ndërkombëtare

“Princin trashëgimtar e kam takuar shumë herë gjatë punës sime në Londër. Është njëri shumë i rëndësishëm në estabilishmentin britanik, do të jetë sipas të gjitha gjasave, mbreti i ardhshëm....Kjo është shumë e rëndësishme sepse Kosova mbetët në hartat ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për praninë ndërkombëtare dhe vizita e Princit i ndihmon kësaj”, tha për KosovaPress Muhamet Hamiti.

Ai thotë se Kosova vazhdon të gëzojë një simpati të madhe nga populli i Britanisë.

Hamiti: Vazhdon të ketë simpati nga populli britanez për Kosovën

“Ka pasur dhe vazhdon të ketë një simpati të madhe të popullit britanik, të autoriteteve britanike, për Kosovën. Unë kam qenë ambasador në kohën kur është ndërrua r Qeveria, janë ndërruar formacionet qeveritare, kemi pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga Qeveria e Blair-it, më vonë e Gordon Braun-it, por edhe Qeveria aktuale e David Cameron-it. Kështu që jemi me fat që të dyja kampet e mëdha politike në Mbretërinë e Bashkuar, të dyja kampet politike mbështesin Kosovën, njëherë për pavarësi e tash për stabilizim të Kosovës në botë”, thotë ai.

Hamiti, duke vlerësuar lartë kontributin e Britanisë për Kosovën, mendon se vendi ka nevojë për përkrahje edhe më të madhe në fusha tjera.

Hamiti: Kemi nevojë për përvojat britanike

“Tani mundësitë janë të tjera, besoj unë, bashkëpunimi për një kohë ka qenë sigurisht shumë i dobishëm për ne dhe ndihma ka qenë e madhe për ne, por për afat të gjat ë kërkohet bashkëpunimi të jetë i dobishëm për të dyja palët, edhe për Kosovën edhe për Mbretërinë e Bashkuar, duhet të ketë bashkëpunim më të gjithanshëm, në rrafsh ekonomik, politik natyrisht ka, por edhe kulturor, ne kemi shumë nevojë për përvojat britanike në këto fusha, në fushën e sundimit të ligjit edhe në të tjera, mendoj që mund të bëhet më shumë”, thotë ai.

Përndryshe, fusha e sigurisë në Kosovë mbetët, padyshim, më bashkëpunuesja me shtetin e Britanisë.

Oficerë të lartë të FSK-së ndjekin kolegjin e lartë të studimeve për mbrojtje në Londër(RCDS).

Vazhdon mbështetja në trajnimet gjuhësore në Kosovë dhe Britani, ka edhe trajnime mjekësore, e edhe mbështetje të trupës muzikore të FSK-së.

Bashkëpunim ka edhe në trajnimin e këmbësorisë me vizita nëpër ekipe trajnimi, ose individë që shkojnë në Britani.

Pjesëmarrja e personelit të FSK-së, për herë të parë në ushtrimet e NATO-së, kësaj radhe po bëhet me Marinën Mbretërore.

Gjithashtu për herë të parë, është bërë pjesëmarrja e udhëheqjes së lartë të FSK-së në Kolegjin Mbretëror të Studimeve për Mbrojtje.

Në Kolegjin Mbretëror të Mbrojtjes në Londër, që është institucioni më i lartë i Akademisë Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, ka përfunduar studimet një-vjeçare, gjeneral brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandant i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së. E aktualisht, në po këtë kolegj, është duke i ndjekur studimet, gjeneral brigade, Enver Cikaqi, Komandant i Komandës së Doktrinës dhe stërvitjes.

Ngjarja e fundit që shënoi historinë e Kosovës në Londër, ishte shpërblimi që mori oficer-kadeti i FSK-së, i cili përfundoi shkollimin një-vjeçar në Sandhurst, dhe mori Shpatën si oficeri më i mirë ndërkombëtar, nga vet Princi Charles. Ismail Hoxha, qe oficeri i parë nga Ballkani që u shpërblye me një çmim të tillë.

Princi Charles, bashkë me Dukeshën e Cornwall-it, do të qëndroj sot dhe nesër në Kosovë.

Princi Charles njihet si person shumë i rëndësishëm, ashtu si e gjithë familja mbretërore, e cila gëzon një respekt të veçantë në shoqërinë britanike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat