Princi Charles: Sot mu thye zemra në Prishtinë

Lajme

Princi Charles: Sot mu thye zemra në Prishtinë

Më: 19 mars 2016 Në ora: 17:55

Princi i Uellsit, Charles, i ftuar në një konferencë ndërfetare në Prizren, duke kujtuar herën e parë që kishte vizituar Kosovën në vitin 1999, përçoi edhe njëherë mesazhin e tij për pajtim dhe vendosje të urave të bashkëpunimit mes popujve dhe feve në Ballkan.

Duke kujtuar gjendjen e Kosovës në atë kohë, Charles ripërsëriti edhe njëherë atë që tha në Parlamentin e Serbisë.
“Siç thashë në Beograd, nuk mund të lejojmë veten të bëhemi të burgosur të historisë”, tha Princi.

Ai tha se kishte kënaqësinë që sot të takojë qytetarë të ndryshëm që i përkasin religjioneve të ndryshme, duke u shprehur i brengosur me familjarët e të pagjeturve, nga të cilët ka dëgjuar pak nga rrëfimet e tyre.

“Çka dëgjova sot në Prishtinë më theu zemrën. Dëgjova njerëz që kanë humbur më të dashurit e tyre, e kam fjalën për personat e pagjetur. Do të dëshiroja të bëj më shumë rreth kësaj”, tha tutje Princi Charles.

Charles, duke aluduar në luftën e fundit në Kosovë dhe duke folur rreth vizitës së tij në Beograd, tha se njerëzit kanë mundësinë për të rindërtuar urat e bashkëpunimit të qëndrueshëm.

Pajtimi dhe falja, sipas tij, janë kryesoret që shpijnë drejt një të ardhme më të mirë.

“E kuptoj dhimbjen nëpër të cilën keni kaluar, por duhet të kalohet me ndërtimin e bashkëpunimit”, tha Charles.
Në fund, ai tha se është i lumtur që Britania e Madhe “luan një rol të vogël në rindërtimin e Kosovës.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat