Princi Charles: Rrëfimet e familjarëve të të pagjeturve ma thyen zemrën

Lajme

Princi Charles: Rrëfimet e familjarëve të të pagjeturve ma thyen zemrën

Më: 19 mars 2016 Në ora: 18:12

Princi i Uellsit, Charles, i ftuar në një konferencë ndërfetare në Prizren, ka folur lidhur me përvojën e tij gjatë qëndrimit në Kosovë e Ballkan, duke rikujtuar vizitën e tij në Kosovë në vitin 1999, njëkohësisht duke dhënë mesazhe bashkëpunimi përmes faljes e pajtimit si rruga e vetme drejt një të ardhme më të të mirë.

Princi Charles edhe njëherë tha se nuk duhet bërë robër të historisë, por tha se ajo nuk duhet harruar po ashtu. Ai përmendi edhe bashkëbisedimet me familjarët e të pagjeturve në Kosovë. Rrëfimet e tyre, tha Princi Charles, po ia thyejnë zemrën atij.

Charles: Nuk mund të bëhemi të burgosur të historisë

“Kur erdha për herë të parë në këtë vend në vitin 1999, 17 vite më parë... dhunë, mizori e panevojshme dhe ishte bërë shkatërrim i qëllimshëm i trashëgimisë të secilit komunitet, pasuritë, objektet e trashëgimisë, reliktet më sekrete dhe historike. Gjithçka që do të ndihmonte të definohen komunitetet, për t’ju dhënë atyre atë ndjenjën e përkatësisë, që si qenie njerëzore na duhet ne të gjithëve. Thellë, pa ato rrënjë dhe pa atë ndjenjën e përkatësisë dhe domethënies ne jemi të humbur. Nuk e dimë ku të fillojmë dhe nuk dimë se si ta interpretojmë botën përreth nesh. Pa histori, po ashtu jemi të humbur, por njëkohësisht siç thashë ditë më parë në Beograd: Ne nuk mund të bëhemi të burgosur të historisë. Duhet të sigurohemi se e posedojmë, por jo të pushtohemi nga ajo”, tha Charles.

Duke folur për vizitat e tij tek komunitetet religjioze, Princi Charles përmendi po ashtu edhe rrëfimet e familjarëve të të pagjeturve. Ai tha se këto rrëfime po ia thyejnë zemrën atij.

Charles: Çfarë dëgjova në Prishtinë, po ma thyen zemrën

“Jam shumë i lumtur se e pata mundësinë të shëtisë përreth dhe të vizitojë xhaminë dhe katedralen ortodokse dhe atë katolike dhe të dëgjojë rrëfimet e tyre. Dhe, çfarë dëgjova sot në Prishtinë, në shumë mënyra po më thyen zemrën. Këtë mëngjes dëgjova rrëfimet e disa familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre – personat e pagjetur. E di se ka shumë të tillë në këtë shtet. Më pyetën nëse mund të ndihmojë... shpresoj se do të mund të bëja më shumë për ta. Por, më duket mua, siç edhe është përmendur sot, se ka shumë vdekje dhe shkatërrim të panevojshëm në botë. E shohim çdo kund tash, edhe në Lindjen e Mesme. Është zemërthyese”

Duke kujtuar vrasjen e xhaxhait të babait të tij, Lordit Mountbatten, dhe zemërimin që kishte ndjerë në atë kohë, Princi Charles tha se, edhe pse e kupton përvojën e hidhur të njerëzve, ai ka zbuluar se falja dhe pajtimi janë rrugët e vetme për ecjen drejt të ardhmes.

Charles: Falja dhe pajtimi janë ato që duhet të bëni

“Më kujtohet vrasja e xhaxhait tim, Lordit Mountbatten, përafërsisht 40 vjet më parë, dhe më kujtohet koha kur ndjeja zemërim të madh si reaksion i menjëhershëm. Por, pastaj e kuptova shumë shpejt se hakmarrja nuk është ajo që duhej, por është pajtimi dhe falja ajo që duhet të bëni... Por e kuptoj agoninë e madhe dhe përvojat e dhimbshme qe i kane perjetuar njerëzit”, tha Charles.

Në fund, Princi i Uellsit, Charles, tha se si rezultat i takimeve të tilla dhe të gjitha fjalëve të njerëzve të mrekullueshëm të Kosovës, vendi do të ketë një të ardhme të mrekullueshme, derisa shtoi se është krenar që Britania e Madhe ka dhënë kontribut në rindërtimin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat