Ja sa protestues kishte në protestën e AAK-së dhe Nisma-s

Lajme

Ja sa protestues kishte në protestën e AAK-së dhe Nisma-s

Më: 14 maj 2016 Në ora: 14:44

(E plotësuar) - Nga fotografitë e siguruara dhe nga vlerësimet e para në protestën e sotme të organizuar nga AAK-ja dhe Nisma supozohet se po marrin pjesë rreth 20 mijë qytetarë.

Protesta po vazhdon edhe në këto momente, ku me fjalime janë paraqitur Jakup Krasniqi nga Nisma dhe Pal Lekaj nga AAK-ja.

​Policia: Në protestën e sotme morën pjesë 5 mijë qytetarë

Lidhur me protestën e sotme, Policia e Kosovës ka vlerësuar se sot në sheshin “Skënderbe” protestuan rreth 5 mijë protestues.

“Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e lajmëruar nga këshilli organizativ i protestës ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, e cila është mbajtur sot (14.05.2016) në orën 14:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka pasur për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës thotë se si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.

“Institucioni i PK-se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 5.000 protestues, pas fjalimeve të disa personaliteteve, rreth orës 15:05 minuta e njëjta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente”, thuhet tutje.

Policia e Kosovës thotë se çdo herë do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit duke respektuar të drejtat e qytetarëve, si dhe duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat