Vdekja e reporteres anti-luftë të Serbisë mbetet mister

Lajme

Vdekja e reporteres anti-luftë të Serbisë mbetet mister

Nga: Jelena Veljkovic, BIRN Më: 20 korrik 2016 Në ora: 13:05
Radislava ‘Dada’ Vujasinovic

Njëzet e dy vjet pas vdekjes së Radislava ‘Dada’ Vujasinovic, e cila raportoi mbi bashkëpunimin mes politikanëve dhe kriminelëve gjatë kohës së luftës, një analizë e re mjekoligjore dështoi sërish të zbulojë nëse vdekja e saj qe vetëvrasje apo vrasje.

Instituti i Kërkimeve Mjekoligjore të Holandës në Hagë doli në konkluzionin se as vrasja dhe as vetëvrasja nuk mund të provohen si shkaqe të vdekjes së Dada Vujasinovic, e cila vdiq nga plagët e shkaktuara nga një shotgan në apartamentin e saj në Beogradin e Ri më 8 prill 1994.

Raporti i institutit, i parë nga BIRN, thotë se testet u kryen në bazë të të dhënave të disponueshme mbi gjurmët biologjike dhe analizës së ADN-së, raportit të autopsisë, testimeve të armës dhe municioneve si dhe vlerësimeve të distancës nga e cila ajo u qëllua, por kjo nuk e bëri të mundur të mbërrihet në një konkluzion përfundimtar.

Në vitin 1994, vdekja e Vujasinovic në moshën 30 vjeçare u klasifikua fillimisht si vetëvrasje, por familjarët dhe kolegët e saj besonin se ajo qe vrarë.

Para se të vdiste,Vujasinovic, e cila raportoi gjatë viteve të para të konflikteve në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, po punonte për revistën serbe Duga, duke shkruar mbi korrupsionin në ushtri e polici si dhe lidhjet mes politikanëve dhe kriminelëve gjatë kohës së luftës.

Për shkak të artikujve të saj mbi vrasjet pa autor në Beograd, ajo u kërcënua nga i frikshmi Zeljko Raznatovic, i njohur si Arkan, i cili qe komandant i grupimit paraushtarak Roja e Vullnetarëve Serbë si dhe deputet e njeri i dyshuar si kriminel.

“Nëse të intereson të dish se cili do të jetë [viktima] e rradhës, shkruaj që ti do të jesh dhe shkruaj se unë ta kam thënë këtë,” e pati paralajmëruar Arkani.

Vujasinovic pati këmbëngulur se ajo nuk do të shtyhej në heshtje nga kërcënime të tilla: “Nuk e di si ta shpjegoj këtë, unë thjesht nuk jam e frikësuar. Mendoj se kjo ka nevojë të shkruhet në mënyrë që të thuhet akulli në një farë mënyre,” deklaroi ajo në emisionin televiziv Utisak nedelje pak muaj para se të vdiste.

Ekspertizë kontradiktore

Dokumentet e lidhura me vdekjen e Vujasinovic u dërguan në Institutin e Kërkimeve Mjekoligjore të Holandës një vit më parë nga Komisioni Hetimor për Vrasjet e Gazetarëve në Serbi një institucion i krijuar për hetimin e vdekjes së tri gazetarëve gjatë dhe pas sundimit të Slobodan Millosheviç, të cilat kanë mbetur pa autor.

Komisioni vendosi të kërkojë analizë të mëtejshme për shkak se gjetjet e mëparshme kishin kontradikta – më 1994, një hetim paraprak deklaroi se vdekja kishte gjasa qe vetëvrasje, por më 2008, specialisti i balistikës Vladimir Kostic sugjeroi se gjasat qenë që Vujasinovic të jetë vrarë.

“Ka gjasa qe vrasje, veçanërisht nëse kemi parasysh se dy tapa fibre u gjetën në trupin e saj, duke sugjeruar se dy plumba qenë qëlluar ndaj saj,” tha Kostic në atë kohë.

Por instituti me bazë në Hagë e hodhi poshtë sugjerimin e Kostic: “Në këtë ekzaminim u zbulua se ka indikacione se kishte vetëm një të shtënë. Indikacioni për vrasje bazuar në sugjerimin se ka pasur dy të shtëna për shkak se u gjetën pjesë të dy tapave mund të hidhet poshtë,” thuhet në raport.

Por raporti thotë se as mundësia që Vujasinovic të jetë vrarë nuk mund të hidhet poshtë për shkak të distancës nga e cila ajo është qëlluar: “Në rastin e vrasjes, çdo distancë e hapjes së zjarrit është e mundshme. Për rrjedhojë, bazuar në rezultatet e vlerësimit të distancës së vrasjes, vrasja nuk mund të përjashtohet si mundësi,” shpjegoi raporti.

Hetim me defekte

Hetimi fillestar policor pas vdekjes së Vujasinovic qe me defekte – rrobat e saj nuk u ruan si burim me potencial për provë dhe zyrtarët nuk morën as gjyrmët e gishtave te arma.

Policia deklaroi gjithashtu menjëherë se gazetarja kishte kryer vetëvrasje për shkak të stresit.

Për shkak të pakujdesive në hetimin e policisë, familja punësoi një skuadër ekspertësh, të cilët e vunë në dyshim rezultatin e hetimit zyrtar se Vujasinovic e qëlloi veten nga një distancë e afërt.

Ekspertët e familjes zbuluan gjithashtu dy lloje gjaku në karrigen në të cilën Vujasinovic vdiq, duke sugjeruar se diskush tjetër mund të ketë qenë aty në kohën e vdekjes së saj. Por policia nuk mori kampionë nga gjaku në karrige për shkak se ata e trajtuan çështjen si vetëvrasje.

Gjetjet e familjes iu dhanë Prokurorisë së Rajonit në Beograd në dhjetor 1994, por në shkurt të atij viti, Prokuroria e hodhi poshtë kërkesën për analizimin e kundërshtive mes versionit zyrtar të vdekjes së Vujasinovic dhe versionit të ekspertëve të familjes.

Në korrik 1995, prindërit e Vujasinovic dorëzuan kallëzim për vrasje ndaj personave të panjohur në Prokurorinë e Beogradit, por kallëzimi nuk u pranua. Tri muaj më vonë, avokati i familjes apeloi vendimin duke kërkuar një analizë të re për të shqyrtuar dallimet mes gjetjeve të dy grupeve të ekspertëve.

Vetëm dy vjet më pas një gjykatës ra dakord të urdhëronte një analizë të re, me patologun Branimir Aleksandric nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të emëruar si kryetar i komitetit të ekspertëve për rianalizimin e rastit.

Aleksandric kishte qenë sakaq i angazhuar në hetimin fillestar të vitit 1994 si patolog dhe, mbështetur te autopsia, tha opinionin se Vujasinovic kishte vrarë veten. Familja dorëzoi një ankesë duke kërkuar një person tjetër si drejtues të komitetit, por ankesa u hodh poshtë.

Raporti i komitetit mbërriti në gjykatë tri vjet më vonë dhe qe identik me konkluzionin fillestar zyrtar.

Gjykata e Rajonit të Beogradit gjithsesi kërkoi për një analizë me ekspertë të nivelit më të lartë dhe pas dy vjetësh, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Novi Sad doli në konkluzionin se vrasja nuk mund të përjashtohet si mundësi.

Përgjatë tri viteve që pasuan, asgjë nuk ndodhi me çështjen dhe gjykatësi refuzoi të japë ndonjë deklaratë – por më 2008, pati një kthesë të papritur kur eksperti i balistikës Vladimir Kostic doli në konkluzionin se Vujasinovic qe vrasë.

Pas ndërhyrjes së Kostic, Prokurori i Rajonit të Beogradit i kërkoi ministrisë së Brendshme në janar 2009 të marrë masa për të vlerësuar nëse gazetarja qe vrarë dhe nëse po, cili qe vrasësi.

“Nuk kemi shkop magjik”

Media raportoi më 2011 se prokurori i shtetit Zagorka Dolovac tha se kishte indikacione se provat në rastin e Vujasinovic qenë fshehur qëllimisht.

Dolovac tha se qe e vështirë të vlerësohej nëse Agjencia Shtetërore e Sigurisë qe përgjegjëse për këtë, por kishte ngjashmëri të mëdha me skenën e krimit të këtij rasti si dhe të rastit të vrasjes së gazetarit të opozitës Slavko Curuvija, i cili u qëllua më 1999, aludohet nga vrasës të shërbimit sekret.

Në fund, më 2012, Komisioni për Hetimin e Vrasjes së Gazetarëve u krijua për të rishikuar rastet e Vujasinovic dhe vrasjen e Curuvija dhe ky komision kërkoi një opinion të ri nga Instituti i Hollandës për Mjekësi Ligjore.

Pyetur se çfarë mendonte për vlerësimin e institutit të Hagës se vrasja nuk mund të përjashtohet si mundësi, patologu Aleksandric i tha BIRN se edhe në raportin e tij të parë, ai nuk kishte këmbëngulur se vdekja e saj qe vetëvrasje.

“E dini se çfarë shkrova? Që ajo mund të ketë vrarë veten,,” tha Aleksandric.

“[Ekspertët e Hagës] nuk e përjashtojnë mundësinë e një aksidenti, gjë të cilën nuk e përjashtova as unë dhe ata nuk e përjashtojnë mundësinë e vrasjes, e cila nuk u përjashtua as nga unë,” shtoi ai.

Por ai këmbënguli se raporti i Hagës e kishte diskretituar tërësisht sugjerimin e ekspertit të balistikës Kostic për ekzistencën e dy plumbave.

Kostic gjithsesi këmbënguli se ai vijon t’i qëndrojë argumentit se arma është shkrepur dy herë dhe se kemi të bëjmë me vrasje: “Nëse kishte dy të shtëna – dhe autopsia e Dr Aleksandric thotë se dy gëzhoja plastike u gjetën e nuk ka pikëpyetje për këtë – si ia bëri ajo të vendoste një plumb të ri në shotgan?” pyeti ai.

Babai i gazetares, Radislav Vujasinovic, tha ndërkohë se analiza hollandeze thjeshtë ritheksoi shumë nga ato që sakaq dihen për çështjen.

“Raporti thotë qartazi, dhe kjo qe zyrtarisht e njohur edhe këtu, se prova kyçe janë shkatërruar dhe disa prova janë fshehur,” tha ai për BIRN.

“Nëse dikush priste që Haga do të jepte një zgjidhje me shkop magjik, atëherë kemi të bëjmë me iluzion,” tha ai.

Njëzet e dy vjet pasi një shotgan u zbraz në një apartament në Beogradin e Ri dhe një gazetare e re vdiq, përpjekjet për të zbuluar të vërtetën mbi atë që ndodhën vijojnë edhe sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat