(E)Liza e vogël, në botën e madhe të “çudirave”

Lajme

(E)Liza e vogël, në botën e madhe të “çudirave”

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 12:18
Eliza

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, në kuadër të misionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përmes një komunikate dërguar mediave, ka ndarë një rrëfim mbi përditshmërinë e një vajze shtatë vjeçare me aftësi të kufizuara.

Për më shumë detaje lexoni rrëfimin e plotë:

”Na qëllon çdo ditë të takojmë shumë njerëz, por njerëzit e veçantë vijnë në kohë shumë të veçantë; janë ata njerëz që na lënë mbresa. Eliza 7 vjeçare është një nga këta persona të veçantë, që të bën ta shohësh botën më të bukur. Spinabifida dhe Hydrocephalus kanë bërë që Eliza të mos mund të lëvizë, mirëpo këtë mungesë mundohen t’ia zëvendësojnë familja, e cila nuk heziton për asnjë çast të jetë pranë saj, kur ajo ka nevojë. Mami Albulena, babi Behxheti, vëllai i saj binjak Elioni, dhe vëllai i vogël Joni, janë dashuritë e saj më të mëdha. Edhe pse Eliza kërkon vëmendje më shumë dhe parapëlqen që çdo gjë të sillet rreth saj, ajo ndan gjithë çfarë ka me vëllezërit e saj. Princesha Elizë, me energjinë e saj më bëri për vete; duke mos hezituar të më tregojë çdo gjë për veten, familjen dhe miqtë e shumtë që kishte. Eliza flet shumë për nënën e saj, e cila i qëndron pranë në çdo kohë. Edhe pse vetë Albulena punon në Qendrën për Punë Sociale, ajo është pranë Elizës sa herë që vajza ka nevojë për të. Gjatë kohës që Eliza ishte në kopsht, mësuesja i kishte mësuar një poezi, të cilën Eliza na e tha me dashuri, por duke mos ja ndarë asnjëherë sytë të ëmës. Që në fillim të poezisë “MË THONI, KA SI MAMI IM?” unë u pajtova me Elizën, sepse vërtet është e mrekullueshme se si përballen çdo ditë si Albulena, ashtu edhe Behxheti me këtë BEKIM (siç e quajnë ata), të quajtur Princeshë Eliza.

Ndërsa, me mikun e saj të ngushtë dhe të vetëm Behxhetin – të vetëm sepse Eliza ka më shumë shoqe sesa shokë – Eliza shkon në shkollë, ku në shtator do të mfillojë klasën e dytë, kthehet nga shkolla, dhe shkon të qëndrojë në dyqanin e prindërve të saj. Babai i saj dyqanin pranë shtëpisë e mban funksional vetëm e vetëm që Eliza të kalojë kohën duke u socializuar me blerës – kjo është kërkesë e Princeshës, e që babai ia plotëson pa e menduar dy herë. Nga dëshira e madhe për tu takuar me njerëz, Eliza dëshiron që kur të rritet të bëhet stiliste (posaçërisht për flokë). Eliza me karrocën e saj të vogël, të cilën tashmë e ka nën kontroll, i ofrohej secilit blerës për t’u interesuar se çfarë i duhet, dhe të gjithë e pranonin ndihmën e Elizës.

Image

Eliza nuk paragjykohet nga njerëzit në të shumtën e kohës, dhe shikimet nga të panjohurit fillimisht e kanë shqetësuar, ndërkohë që tashmë e ka kuptuar se ajo nuk është ndryshe, por Princeshat gjithmonë rrëmbejnë vëmendje. Eliza pati dëshirë të më flasë për shoqet e saj të ngushta Zerinën dhe Bunën, dhe të më dërgojë tek vendi ku ato pijnë Lëng pjeshke së bashku. Eliza ka shumë gjëra që i pëlqejnë, në fakt çdo gjë që ka të bëjë me artin, duke filluar nga vizatimi dhe plastelina, muzika, filmat vizatimorë, kostumet, dhe pothuajse çdo gjë që lidhet me artin, përpos vallëzimit. Madje, Eliza zgjedh edhe këngët me performanca më të thjeshta, ashtu që kur të ulet në tavolinën e oborrit/fronin e saj, ajo do të performojë me një “mikrofon” imagjinar, dhe me dorën tjetër i drejtohet “fansave” të saj. Ndërsa, në bisedat me nënën e saj, të cilat i kanë çdo ditë kur Albulena kthehet nga puna, Eliza ka pyetur vazhdimisht se përse nuk është si gjithë shoqet e klasës, dhe përse ato mund të bëhen edhe balerina, ndërsa Eliza vetëm këngëtare. Sfiduese janë mungesa e infrastrukturës, transporti shtëpi- shkollë, arsimi cilësor, shërbimet psikosociale dhe mjekimi i plagës, gjë e cila ia pamundëson shumë aktivitete.

Image

Megjithatë, Eliza shumë krenare nuk lejon që kjo ta pengojë në jetën e saj të përditshme. Ajo nuk e humb pozitivitetin, nuk e përmend asnjëherë karrocën, dhe për çdo temë (lojra, libra, dëshira) Eliza nuk lejon që të demoralizohet. Ajo është primabalerinë në skenën e saj, soliste me publikun e saj, dhe e veçantë në mënyrën e saj. Eliza në botën e saj është një fëmijë i lumtur; vajza e cila ka karrocën magjike; vajza të cilës i realizohet çdo dëshirë; Princesha e cila reflekton mirësi e pozitivitet. Në botën e (E)Lizës nuk takojmë maçokë që flasin apo njerëz prej hekuri, por takojmë ëndrra, ëmbëlsi e shpresë… Është kjo botë jo e çuditshme, por e çudirave, që Eliza e ka krijuar për veten”

Image
Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat