AA: Ja rrjeti i Fetyllah Gylen në Shqipëri

Shqipëria

AA: Ja rrjeti i Fetyllah Gylen në Shqipëri

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 10:51
Fetyllah Gylen

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidajet Bajraktar, në një intervistë për Gazetën Shqiptare, thotë se i kanë kërkuar qeverisë së Edi Ramës të veprojë kundër zgjatimit të asaj që e quan organizata terroriste Feto në Shqipëri.

“Ne presim që ndaj aktivitetit të institucioneve dhe individëve që kanë lidhje me këtë organizatë, të ndërmerren sa më shpejt masa serioze dhe efektive”.

Sa i përket asaj që media e ka etiketuar si “lista Gylen”, me mbështetës të Fetyllah Gylen në Tiranë, ai nuk jep emra, duke thënë se është një listë e klasifikuar.

Por agjencia Anadolu, në një shkrim të saj thotë se rrjeti i predikuesit Fetyllah Gylen, që akuzohet se ka organizuar grushtin e shtetit në Turqi, është shumë i shtrirë në Shqipëri.

“Aktiviteti nisi në vitin 1993 me ngritjen e Fondacionit Gulistan. Në Tiranë ata kanë gjimnazet “Mehmet Akif” dhe “Turgut Ozal”, “Memorial International School of Tirana”, kurse në Shkodër dhe Durrës kanë shkollat fillore “Hasan Riza Pasha” dhe “Turgut Ozal”.

Dy universitete të mëdha, Epoka dhe Beder në Tiranë kanë lidhje me Feto, që ka marrë kontrollin e shkollave tradicionale islamike, të njohura si medrese”.

Agjencia shkruan se lëvizja Gyleniste ka privatizuar medresetë në Tiranë, Kavajë, Korçë, Elbasan dhe Berat, duke bërë biznes me këto shkolla, që më përpara ishin pa pagesë.

AA shkruan se edhe institucioni i edukimit Meridian ka lidhje me këtë lëvizje.

Po ashtu edhe një OJQ, e quajtur Horizontet e Reja.

Librat e Gylen botohen në Shqipëri nga kompania Prizmi.

Gylen ka edhe një faqe në internet në gjuhën shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat