Inspektorati i punës dënon tri media për kushte të punës

Lajme

Inspektorati i punës dënon tri media për kushte të punës

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 15:27
Inspektorati i punës

Inspektorati i punës i ka shqiptuar tri gjoba për tri kompani të ndryshme mediale në Kosovë, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet e punës në bazë të ligjit.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, ka thënë në një konferencë për media se nga një kontroll që i është bërë medieve të ndryshme, janë gjetur 21 punëtorë pa kontrata pune, kurse janë identifikuar 153 raste të punëtorëve të punësuar me angazhim.

Ibrahimi: 21 gazetarë pa kontratë pune

“Pa kontrata pune janë 21 persona, do të thotë që nuk kanë pas as nuk kanë qenë të lajmëruar në ATK e as nuk kanë pas kontratë pune. Kjo do të thotë që kanë qenë krejtësisht pa dokumentacione. Një problem i madh që është gjetur tek mediat janë edhe kontratat me punë specifike, të cilët këta punëtorë i kanë mbajtur një kohë të gjatë duke punuar nëpër media mirëpo nuk kanë pas kontratë të rregullt. Media publike, si është RTK-ja, i ka marrë punëtorët pa kontrata, vetëm i ka mbajt në punë me kontratë specifike, ndërsa tek kompanitë tjera, te mediat tjera private nuk iu kanë bërë kontrata të rregullta, por gjithmonë i kanë mbajtur me angazhim dhe kjo ka qenë në 153 raste. Këtë çështje, pjesa më e madhe e tyre, e kanë zgjidh dhe ne u kemi ndihmuar shumë që me bë zgjidhje ligjore”, ka thënë kryeinspektori Ibrahimi.

Ai tha se nga inspektimi në media, ka pasur katër raste që nuk i kanë plotësuar kushtet e punëtorëve me aftësi të kufizuara, 43 punëtorë të pa-legalizuar, e raste të tjera të identifikuara.

Ibrahimi: Mediat mbajnë punëtorë të pa-legalizuar

“Ne i kemi inspektuar 34 media, prej tyre ne kemi hasur në këto probleme gjatë inspektimit; në 4 raste personat me aftësi të kufizuar nuk i kanë pas të realizuara të drejtat e tyre, që fatmirësisht pas inspektimit iu kanë realizuar të drejtat e tyre, i kemi legalizuar 43 punëtorë që për mu nuk është mjaft e mirë ose nuk është pasqyrë e mirë që edhe në media të ketë punëtorë pa kontrata dhe jo të gjithë kanë qenë pa kontrata formale por një pjesë e tyre nuk kanë qenë të lajmëruar në Administratën Tatimore. Do të thotë nuk iu janë paguar tatimet në pagë dhe trusti i kursimeve pensionale, por për ne gjithmonë kjo cilësohet si punëtor pa kontratë edhe pse formalisht mundet me e pas kontratën, por që ai nuk e luan rolin asnjëherë, sepse ai nuk është i regjistruar, i evidentuar, prandaj për ne është punëtor pa kontratë pune”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sipas Ibrahimit, numri i të punësuarve nëpër medie është gjithsej 1896, ku kryeson gjinia femërore.

Ibrahimi: Në media punojnë më shumë femra se meshkuj

“Numri i të punësuarve gjithsejtë në media është 1896, numri i femrave është më i lartë se sa i meshkujve, fatmirësisht kjo është me i inkurajua edhe institucionet tjera edhe shoqërinë në përgjithësi që t’i jepet femrave një përparësi më e madhe ose një mundësi më e madhe sepse unë besoj shumë në aftësi dhe potencialet e femrës. Por që jo gjithmonë për shkak të kulturës sonë që e kemi femrat vijnë në shprehje edhe me potencialet e veta që i kanë, por mediat janë treguar më të mira sesa pjesa tjetër e shoqërisë dhe institucioneve tjera, do të thotë janë 1177 femra dhe 719 meshkuj të punësuar në media”, ka thënë ai.

Kryeinspektori Ibrahimi, shqetësim tjetër për Inspektoratin e Punës tha se ka qenë se mediat nuk e kanë respektuar orarin e punës për të punësuarit e tyre, ndërsa nuk ua kanë paguar punën pas orarit.

Ibrahimi: Mediat nuk e kanë respektuar orarin e punës për gazetarë

“Orari i gjatë i punës, në 649 raste kemi has në media që orari ka qenë më i gjatë dhe nuk kanë qenë të kompensuar gazetarët ose punëtorët e tjerë medial. Dmth, e kanë pas orarin më të gjatë dhe nuk janë kompensuar dhe besoj që edhe kjo çështje është zgjidh, së paku sipas inspektimeve të  inspektorëve që i kanë pru nga terreni, këto janë zgjidhur. Në 83 raste e kemi edhe punën gjatë natës që nuk është paguar ashtu siç parashihet me ligjin e punës, një rast kemi të pushimit të lehonisë dhe festave shtetërore, gjithashtu 26 rase që festat shtetërore nuk janë paguar”, ka thënë ai.

I pari i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, ka thënë se është identifikuar edhe mungesa e kontrolleve mjekësore për të punësuarit, për çka kompanitë mediale janë të obliguara që për  çdo gjashtë muaj në raste të punës me rrezikshmëri, dhe çdo tri vjet për të gjithë punëtorët, t’i kryejnë kontrollet mjekësore me raportime. Dhe kjo gjë nuk është bërë në 782 raste, tha Ibrahimi.

Ai tregoi se nëntë kompani nuk i kanë pasur fare planet emergjente.  

Përndryshe, Inspektorati i Punës kontrollin më media e ka filluar më 25 maj dhe e ka përfunduar këtë javë.

Inspektorati ka paralajmëruar se do të vazhdoj edhe në të ardhmen t’i kryejë vizitat nëpër media, duke shtuar se do të kontrollojnë nëse janë duke u përmirësuar gabimet dhe lëshimet e bëra, e për çka ata thanë se në asnjë rast mediat nuk do të falen nëse nuk i kanë të plotësuar kushtet e punës për punëtorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat