UP pa studime në gjuhën turke e boshnjake, por testin pranues e përktheu

Lajme

UP pa studime në gjuhën turke e boshnjake, por testin pranues e përktheu

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 11:27
Ilustrim

Universiteti i Prishtinës nuk do të ofroj studime në gjuhën turke e boshnjake për studentët e këtyre komuniteteve që do të regjistrohen në këtë universitet, ani pse provimin pranues ua ka mundësuar ta kenë në gjuhë e tyre amtare.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, Afrim Hoti, tha për Kp se përkthimi i testeve në gjuhën turke e boshnjake ka qenë ide e ministrisë së Arsimit derisa UP i ka ofruar lehtësirat në këtë aspekt.

Hoti: UP nuk ka mundësi të ofroj studime në turqisht e boshnjakisht

“Ideja e MASHT-it si duket, sepse kjo ka rrjedhë nga MASHT. Universiteti i ka ofruar lehtësitë e duhura për t’iu bërë të mundur kandidatëve që të paktën provimin pranues ta kryejnë në gjuhën e tyre, ne kemi ndërmarrë masa dhe varësisht nga deklarimi i kandidatit e kemi bërë përkthimin e testit dhe kjo është bërë me qëllimin që të jemi sa më objektiv në kuptimin e hapjes ë dyerve për të gjithë kandidatët që vijnë nga radhët e minoriteteve dhe për të qenë pjesë e UP-së. Nuk jemi në gjendje që të ofrojmë studime të tërësishme, do të thotë të gjithë ciklin e studimeve në gjuhën turke ose në gjuhën boshnjake. UP deri më tani zhvillon programet e veta në gjuhën shqipe me përjashtim të disa programeve që tashmë kemi filluar në Fakultetin e Shkencave Politike në Fakultetin Ekonomik në disa nivele edhe studimin në gjuhën angleze”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, nëse përkthimi i testit pranues nga ana e profesorëve apo përkthyesve të caktuar e ka rrezikuar edhe konfidencialitetin e testit, Hoti tha se provimi pranues asnjëherë nuk ka qenë më i sigurt. Ai tregon se profesorët që e kanë përkthyer testin kanë qëndruar në karantinë derisa ka përfunduar i gjithë procesi.

Hoti: Në asnjë mënyrë nuk është rrezikuar konfidencialiteti i provimit pranues

“Rektorati i UP-së i ka marrë të gjitha masat dhe u ka ofruar mbështetje njësive akademike duke u ofruar përkthyes të gjuhëve të ndryshme. Disa njësi akademike kanë pasur kapacitetet e veta të brendshme prandaj në njërin variant a në variantin tjetër përkthimet janë bërë nga Universiteti i Prishtinës. Për konfidencialitetin jemi përkujdes në mënyrë të jashtëzakonshme që përkthimi të bëhet duke u futë profesorët në karantinë, në kuptimin e përkthimit, deri në momentin e fundit, dhe nga momenti i përkthimit pastaj testi është bartë menjëherë tek kandidatët. Prandaj nuk kemi të bëjmë absolutisht me humbje të konfidencialitetit, bile kësaj radhe mburremi me konfidencialitetin edhe për përkthimet, por në të njëjtën kohë edhe për gjithë mbarëvajtjen e procesit”, ka thënë prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar në UP.

Hoti ka sqaruar se procedura e njëjtë vlen edhe për afatin e dytë të provimit pranues në UP, ku do të përkthehen testet. Ndërsa sa i përket kostos financiare të këtij procesi, ai ka thënë se nuk dinë për shifrat e shpenzuara.

Kujtojmë se Universiteti i Prishtinës u ka ofruar testin në gjuhën boshnjake dhe turke të gjithë minoritarëve që kanë konkurruar për regjistrim në UP në nivelin bachelor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat