120 gra kryejnë Pap-testet pa pagesë në Prishtinë

Lajme

120 gra kryejnë Pap-testet pa pagesë në Prishtinë

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 10:14
Ilustrim

Pilot projekti për kryerjen e Pap-testeve pa pagesë, me qëllim të skriningut të kancerit të qafës së mitrës, vazhdon të implementohet në Komunën e Prishtinës.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se që nga lansimi i këtij pilot projekti në korrik e deri më tani, më shumë se 120 gra janë kontrolluar pa pagesë dhe kanë bërë Pap-testin, në njërën nga tri Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

“Pilot projekti synon kontrollimin e gjithsej 2,000 grave e vajzave të moshave 25 deri në 50 vjeç , duke i prioritizuar rastet sociale, deri me datën 30 nëntor 2016. Ky pilotim paraqet një mundësi shumë të mirë për kontrollin dhe parandalimin e kancerit të qafës se mitrës, i cili është kanceri i dytë më i përhapuri tek gratë. Skriningu cervikal mundëson zbulimin e hershëm të qelizave jonormale dhe si rezultat trajtimin e suksesshëm të tyre”, thuhet në njoftim.

Në vazhdën e këtij pilot projekti, të gjitha gratë dhe vajzat nga Komuna e Prishtinës ftohen të kryejnë Pap-testet pa pagesë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare tek Qafa, Qendrën e Mjekësisë Familjare 5 në Ulpianë, apo edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare 6 në Kodrën e Diellit.

Të gjitha materialet informuese tashmë ndodhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë ku mund të orientohen për termine.

“Ky pilotim po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe është mundësuar përmes bashkëpunimit në mes të Drejtorisë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare te Kosovës dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, me donatorë Fondin për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizatën Botërore të Shëndetësisë -OBSH dhe 700 for Science Foundation”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat