Kur Mark Krasniqi thoshte për veten: Rahmet i pastë shpirti

Lajme

Kur Mark Krasniqi thoshte për veten: Rahmet i pastë shpirti

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 15:09
Mark Krasniqi

Dikur i pa vdekur pranë varrit të tij, sot e një vit prehet në të. Akademik Mark Krasniqi (1920-2015), ia kishte ndërtuar varrin vetes dy vite para se të ndërronte jetë.

Në varrezat e të krishterëve në lagjen Arbëria në Prishtinë, prehen edhe eshtrat e akademik Mark Krasniqit. Këtë varr i ndjeri e kishte përgatitur vetë sa ishte gjallë. E kishte gdhendur portretin e tij në pllakën e mermertë, emrin e datën e lindjes. Kishte mbetur vetëm data e vdekjes, për ç’gjë e kishte porositur një punëtor të kompanisë të cilën e angazhoi për krejt këtë punë.

“I thashë atij ndërtuesit që t’ia vë datën e vdekjes si të dojë. Por ai u përgjigj se nuk guxon, e tash të shohim…”, thoshte i ndjeri dy vite para se të vdiste.

“Rahmet i pastë shpirti”, shprehej me buzëqeshje Krasniqi, teksa shikonte veten në pllakën përkujtuese.

Image

Në fakt, një varr tjetër e kishte ndërtuar në fshatin e lindjes në Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj) afër Pejës. Një mik i tij i ngushtë, shkrimtari Azem Shkreli, e kishte quajtur “kokrra e budallasë”. Por kur kishte vendosur që të jetonte përgjithmonë në Prishtinë, ndërroi edhe banesën e përjetshme.

“Kur vendosa ta ndërtoja varrin në Prishtinë, fshatarët më pyetën se çka do të bëj me varrin në katund. Unë u thash se atë varr do ta kem për ‘vikendicë’, dhe pasi të vdes në Prishtinë, do të vijë për vikend në katund. Njëri nga fshatarët tha ‘Aman çona fjalë një ditë më para se të vishë, që të ikim diku përtej Bistricës’”, thoshte i ndjeri.

Krasniqi u varros me një ceremoni kombëtare. Kështu e la amanet, pasi thoshte se “kryqit as hënës nuk ju kam bërë hyzmetin, po as nuk kam qenë kundër tyre. Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, ndoshta edhe shqipja dykrenore mbi atë emër”.

Krasniqi ka vdekur më 28 gusht të vitit të kaluar. Ai njihet si njëri ndër poetët më të dashur për fëmijët, veçmas me librin “Posta e porositur”.

Ai poashtu ka kontribuar në çështjen kombëtare, e sidomos në kultivimin e tolerancës ndërfetare.

“Pesha e viteve të mia është peshë e popullit tim, i cili ka qenë i robëruar në kohën e sundimit të gjatë otoman, në kohën e kralit, i persekutuar edhe në kohën e Marshalit e të qeverisë shoviniste të Serbisë”, thoshte Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat