Apel nga shoqata mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë – Prizren

Lajme

Apel nga shoqata mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë – Prizren

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 18:17
ilustrim

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” në Tiranë e Prizren  e ka në program e veprimtarinë e saj Çështjen Kombëtare Shqiptare, ndaj e ngrejmë sot zërin tonë botërisht për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.

Kjo Marrëveshje e gushtit 2015  shkelë rëndë kritere ndërkombëtare në caktimin e vijës së shenjtë kufitare si ato gjeo-strategjike, natyrore, hidrologjike, historike, etnike, ekonomike, morale, etj.

Shenjimi arbitrar i kufirit, jo në qafa të maleve Çakorr, Kulla, etj., por në thellësi të shpateve të tyre, në anën e Kosovës, pa asnjë orientues fizik natyror, si i prerë me thikë, të kujton kufijtë e vizatuar nga kolonizatorët në shkretëtirat e Afrikës. Kjo i siguron Malit të Zi të ketë kontroll mbi qafat e maleve shqiptare dhe siguron avantazh të qartë ndaj Kosovës.

Me Marrëveshjen e Demarkacionit shteti i Kosovës i humbë mbi 82 km2 nga territori i saj, që i takon sa komuna e Hanit të Elezit (83 km2); pothuaj sa komuna e Junikut (86.2 km2); rreth 15 herë ma shumë se ishulli i Sazani në Vlorë; 40 herë ma shumë se Principata e Monakos; 21 km2 ma shumë se Republika e San Marinos, sa gjysma e shtetit të Lihtenshtajnit.

Ndërkohë, sipërfaqja e Malit të Zi rritet dhe në shek. XXI me territore shqiptare në 79 km vijë kufitare me Kosovën nëpër Çakorr, Kullë, Hajlë, Kuqisht, Leqinat, etj. Historia dekumenton se Mali i Zi me katër krahina të vogla: Rijeka, Katundi, Cermnica e Leshani të shtrira në 1.500 km2 sipërfaqe arriti të pushtonte e aneksonte në shekujt XVIII-XX toka shqiptare nga Bregdeti Adriatik në Alpe, sa është sipërfaqja e sotme e Kosovës dardane. Sot, Kosova (10.887 km2) për nga sipërfaqja është ma e vogël se Mali i Zi (13.812 km2).

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” në Tiranë e Prizren, nga Manifestimi ynë Tradicional Kombëtar “Festa e Plisit të Bardhë”, organizuar në Parkun Kombëtar të malit të Dajtit, i bëjmë Thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputeteve e deputetëve të tij të nderuar, që të mos votoni në seancë plenare të 1 shtatorit 2016  tjetërsimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, sipas Marrëveshjes së gabuar të Demarkacionit, sepse ende ka vend për rishikime faktesh në terren e me ligjshmëri dhe duhet të gjenden zgjidhje me mirëkuptim të dyanshëm, të përbashkët, që t’iu shërbëjnë miqësisë e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona fqinjë drejt të ardhmes tonë euro-atlantike.

Sot, ka ardhë Dita e Kombit, ka ardhë Ora e Historisë, që Shqiptarët në Ballkan, së bashku, të themi: Mjaft! Nuk kemi toka etnike për t’i falur askujt, sepse i kena me kufinj gjaku, i kena amanet të Oso Kukës, Zhuj Selmanit e Prekë Calit, të breznive shqiptare.
 
Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”
Tiranë – Prizren
 
Tiranë, 28 gusht 2016

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat