Lumi i Anton Gojçajt...

Libra

Lumi i Anton Gojçajt...

Kolec Traboini Nga Kolec Traboini Më 29 gusht 2016 Në ora: 07:14
Libri

Lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë. Nga KOLEC TRABOINI Anton Gojçaj, jo vetëm që është një poet e prozator që nuk le motiv pa e thurur mjeshtërisht e fjalë që i buron nga shpirti pa e gdhendur me pasion, por ka edhe një përmasë tjetër që nuk bie aspak më poshtë dy të parave.

Është tepër njerëzor, i komunikueshëm, e ka dëshirën e mirë të kërkojë e të zbulojë vlera tek krijuesit shqiptarë të letërsisë së sotme në gjithë përfshirje, them kombëtare sepse kam parasysh hapësirën Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë, sa mund të thuash pa e tepruar se janë të paktë  ata që mund ta mbërrijnë me iu afruar në atë cak të atyre tre dimensioneve që e karakterizojnë Anton Gojçajn.

Ai është gjurmues i palodhur e këmbëngulës, ndjekës hap pas hapi i letërsisë së mirë. Zbulues i vlerave ndër shkrimtarë të tjerë, kërkon libra, e në mes të librave, vazhdon si të ishte një gjahtar perlash që flenë në fundin e deteve e veç presin daljen në dritë. E sikur u thotë lexuesve shih sa bukur e bëjnë përthyerjen e rrezeve të diellit. Kjo është bukuria e jetës, e reflektimit të saj nëpërmjet artit. Anton Gojçaj do të mund të mbetej në dy  dimensionet e tij  si poet e eseist.  

E nisi udhën e krijimtarisë me vëllimin poetik “Poezi” (Illyricum, Tuz 2001) dhe duke kërkuar një shtrat më të gjerë, vërshimi i lumit të tij kaloi në prozë: “Qengji i harruar në mal”, tregime, (“Shpresa”, Prishtinë 2003).  Pas kësaj në rend vjen i treti libër me ese në kërkimin e Anton Gojçajt që nuk ndalet: “Tema e heroit nacional në Letërsi”, (AIKD, Prishtinë 2004). Erdhi dhe “Passio” Buzuku 2004 Prishtinë, si një rrëke malore me ujëra të kthjellëta për të mbushur shtratin e vet krijues si për të na thënë se të gjithë lumenjtë rrjedhin në vendlindje. Një roman ky model për dramën e njeriut larg atdheut, mishëruar në kthimin e piktorit të famshëm në Amerikë Jozef Montanaro si një Odise i përhumbur në botën shqiptare,  ku kish harruar edhe emrin e vet.  

Image
Anton Gojçaj

Ky kthim në trojet e veta, tek fëmijëria, tek emri i tij Zef Gjoni,  ishte rrugëtimi i fundit për ta mbyllur jetën në qetësi e në paqe. Thirrja e tokës e kushtrimi i të parëve qenka një tundim i madh për njeriun. Ky subjekt që punon në 90 faqe libër thotë më shumë se ca prej romaneve që janë në modë prej trashësisë, por që  nisin e kurrë nuk mbarojnë me shkakun e thjeshtë se lexuesi i lodhur skajshëm i lë për gjysmë. Anton Gojçaj parapëlqen fjalën e saktë, të shkurtër, figurative, si e folura e pleqve të Malësisë,  të cilët urtia i bën më të kursyer, sikur fjalën ta nxirrnin nga pusi.

Jo më kot në një prej eseve të tij për letërsinë, në librin “Fakticiteti në letërsi” (Buzuku, Prishtinë 2007), Anton Gojçaj shkruan plot pasion për prozën letrare të Pater Anton Arapit, i cili në kryeveprën e vet “Andrra e Pretashit”  trajton jetën e malësorëve të një shekulli më parë, por aty gjen aq dritë sa për të ndriçuar e parë jo vetëm të shkuarën por edhe të ardhmen. Ëndërrimet për jetë nuk kanë të shuar në këto troje malësorësh me karakter të fortë, ku, sa shuhet një ëndërr ndizet një tjetër si pishtar i pashuar brezash. Anton Gojçaj, ky autor në një  rrjedhë që nuk ka as kohë e as dëshirë të ndalet, vjen me “Shijen e librit” (AIKD, Prishtinë 2009), një vëllim me recensione, interpretime dhe ese.

Edhe në këtë libër Anton Gojçaj vazhdon zbuluesen e vet në krijimtarinë letrare pa u kufizuar, në hapësirën ballkanike e gjithkund ku letërsia shqipe kultivohet, por me vështrime edhe në letërsinë botërore. Kështu krahas shumë emrave të krijuesve shqiptarë që nga Ismail Kadare, Nikollë Berishaj, Alfred Çapaliku, Gjek Marinaj, Xhevdet Bajraj, Ndue Ukaj, Anton N. Berisha, Fran Camaj, Nik Ukgjini, Lumnije Hoxha, Nail Draga, Ibrahim Berjashi, Basri Çapriqi e tjerë gjen vështrime dhe ese për veprat e botuara në shqip të Platonit, Charles Bukowskit, Ezra Poundit, Gynter Grasit, Italo Zvevos, si dhe mbi pikëpamjet estetike të Shën Tomë Akuinit, estet i dritës diellore e tjerë. Pavarësisht se Anton Gojçaj, një autor si kalliri me shumë bukë që e mban kokën ulur, shprehet modestish për krijimtarinë e vet në librin “Shija e Librit” ku shkruan:  “T’i shkruaj  dhe t’i botoj përshtypjet e mia për librat kam filluar gjatë studimeve. Si duket, unë qysh atëherë e kam pasur të qartë se në letërsinë artistike s’do jem i suksesshëm”, por me çfarë tregon në vazhdimësinë e tij krijuese koha nuk i dha të drejtë.  

Talenti para se të jetë vepër është një shfaqje. E atë shfaqje Anton Gojçaj e kishte pasur që në librin e parë. Ndaj prurja e veprave të reja cilësore  nga ky autor, për  lexuesit apo kolegët shkrimtarë nuk është e papritur. Madje edhe ribotimi i romanit “Passio” në Podgoricë në vitin 2015 dhe interesi i lexuesve që u shfaq për të,  vërteton saktësinë e mendimit të studiuesit dr. Anton Berishaj: “Passio paraqet një kryevepër “të vogël”  të mirëfilltë  të letërsisë bashkëkohore shqiptare”. Po do të ishte i mangët vlerësimi për autorin pa këqyrjen e ashtit të poezisë së tij, që edhe ajo është e vogël në volum por origjinale, me individualitet e ndjesi të thellë. Autori Anton Gojçaj siç shfaqet mjeshtër i fjalës së zgjedhur e ndërtimit të subjekteve e karaktereve në prozë, ndjehet po aq mrekullisht në poezi.

Tek poezia e Anton Gojçajt gjen motive hapësinore deri përtej oqeanesh, nuk ka kufizim në këndvështrimin e tij,  por poezia e tij gjithherë shfaqet atje ku ndjehet më mirë, në shkëmbinjtë e malit të Hotit, ku dëgjohet kënga e fëllanxave të malit e ku autori lëshon thirrjen e tij dashunore: 

“Vrapo e dashura ime”: buka e bardhë përngjasim vetëtime me shpejt se yjet e hëna vrapo e dashura ime shirat në ty lahen flakërojnë vegime dhelpër është klepsidra vrapo e dashura ime pritjen zjet thellimi ngutuni gëzime herët bëhet vonë vrapo e dashura ime Që nga koha kur botoi vëllimin e parë poetik e deri tek “Dëgjohet një violinë, në suferinë...” poezi, (Enti botues “Gjergj Fishta” Lezhë 2011), kishte kaluar plot një dekadë, por poezitë e Anton Gojçajt vijnë po aq emocionuese, të thella nga mendimi, puhizë në ndjesi, që para se të shkojnë e kërkojnë  motive larg në kohë e hapësirë, më së shumti ngulmojnë në zbulimin e vetvetes, në përjetime që gjithçka e kalojnë në filtrin e shpirtit. Le të sjellim poezinë e cila është përzgjedhur si  titull libri “Dëgjohet një violinë, në suferinë…

” Qielli është një portë e mbyllur. Pas portës gjithmonë ka diçka. Qielli është bordel i pafund Miliarda yje si miliarda gra të zhveshura e joshin udhëtarin e lodhur të shtrihet mbi ta. Dëgjohet një violinë… Fryn Një suferinë. Qielli shkundet. Yjet bien një e nga një. Si gjethet. Si mbretër të posarrëzuar prej fronit. Si mbeturina të sofrës parajsore. Qielli është dritare e hapur kudo. Më kot autori Anton Gojçaj e paragjykonte prozën e artin e tij poetik siç e cituam më lart.

Ato vërtetë nuk flasin zhurmshëm, nuk buçasin, nuk thërrasin t’u bësh eho, siç u bëjnë ca autorë krijimeve të tyre, por janë si ato lulet e vogla apo fijet e barit që me qetësinë e brishtësinë e vet, pak e nga pak, bëjnë shteg e lulëzojnë në shkëmb. Dhe jo pak herë lulet e shkëmbit janë po aq të bukura, madje shpesh edhe më të bukura se ato që rriten në lëndina të buta e ku qëllon të shkelen me këmbë. Kush ka shëtitur në mal, ku të duket gjithkah thatësirë gri, ka vënë re një aromë të magjishme të cilën askund tjetër nuk e ndjen. Janë aromat e luleve te malit.

Vargjet e tij rrjedhin natyrshëm, zbresin si petale që rrëzon era në pranverë, herë-herë të bëhen si fluturzat e borës që shkrijnë në buzët e nxehta të vajzave. Të asaj që i jep titullin një prej poezive të tij më të bukura, një perlë dashurie e denjë për çdo antologji lirike të poezisë kombëtare por edhe ndërkombëtare:  “Vajza që ecën me ombrellë nëpër borë”: sa shumë që duheshim atë mbrëmje me borë si s’ta bëra me dorë si s’ma bërë me dorë kur luanim qiellorë me djallëzoren ironi si s’ma bëre me sy si s’ta bëra me sy do të duhemi përsëri netëve pa orë do të vishemi me florë do të shkrihemi në bore Aq e mbyllur është kjo poezi, po dhe të tjera si kjo në krijimtarinë e Anton Gojçajt, sa të duket si një perlë me të cilën të dashurohen sytë, aq sa autori nuk ia ka ndjerë nevojën as shenjave të pikësimit sepse ato tre strofa në 12 vargjet përbëjnë një unitet mendimi e fjalësh, konfigurimi estetik, të cilat lexohen me një frymë, madje ajo nëpër eter sikur të sjell edhe tingujt e një muzike në imagjinatën tënde si lexues, e ndoshta ky instrument mund të jetë ajo që autori e thërret në titullin e librit, një violinë në suferinë.

Shumë prej poezive mbresëlënëse të Anton Gojçaj lënë poetikisht pa frymë për nga shkalla e lartë e përjetimit emocional. Gjithçka zhvillohet shpejt, aq shpejt sa të përngjan sikur je me vështrim në qiellin mbrëmësor. Sheh një yll që këputet tek lë një vrragë të thellë si prush zjarri, e ani pse ylli është shuar, vazhdon të lërë gjurmë dritë në sytë e tu, në kujtesën tënde. Pikërisht për këtë thonë se poezia ka magji, është dehja e fjalëve, është fryma e shpirtit që të prek edhe atëherë kur mendon se je larg prej botës së emocioneve dhe frymëzimit. Ajo të vjen pa pasur nevojë ta thërrasësh.

Ajo vjen tek njeriu në shumë trajta por në rastin më fatlum kemi metamorfimin poetik të fjalës si drithërimë drite Por a është kjo arritje e mjaftueshme për ta konsideruar se autori është në pikën më të lartë të trajektores së vet krijuese, aq më tepër se tashmë  ai është një nga autorët më të veçantë që e pasurojnë letërsinë shqipe.

Duke e ditur psikologjinë e Anton Gojçajt, marrëdhëniet e tij me artin, rrethanat e jetës ku formohen prirjet dhe karakteri,  do të thosha se vetë autori do ta konsideronte të pamjaftueshme rrugëtimin e tij të deritashëm letrar. Sepse ja çfarë thotë në  poezinë e tij “Energjia e poezisë”: “Universit i duhet edhe një vers”. Pra çdo përkryerje është një shteg i ri  për të vazhduar udhën e guximshme të artit, një rrugëtim ky që nuk ka fund.

Ajo çfarë dimë apo hamendësojmë për krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit është se  lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat