Pas kaosit disamujor, rinisin punimet e ndërprera në rrugën Fier-Levan

Shqipëria

Pas kaosit disamujor, rinisin punimet e ndërprera në rrugën Fier-Levan

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 10:55
Foto arkiv

Gushti shënon muajin e fundit të sezonit turistik veror në Shqipëri. Ndërsa fluksi i automjeteve, që lëvizin në aksin prej dhjetë kilometrash Levan-Fier dhe anasjelltas, prej muajsh, sjell të njëjtën pamje. Bllokim dhe probleme në qarkullim. Për të përshkuar këtë aks rrugor nuk është çudi që të duhet më shumë se 2 orë. Kjo më e pakta. Dhe vetëm atëherë, kur këtë fluks të madh, përpiqen ta normalizojnë edhe uniformat e shumta të policisë, të vendosura gati në çdo njëqind metra përgjatë aksit. Për më shumë se tre muaj, atyre që iu është dashur të shkojnë në bregdetin e Rivierës shqiptare, apo edhe në Gjirokastër, për pushime, lëvizje të lirë, në drejtim të Kakavijës, për Greqi, apo Italisë, nëpërmjet portit të Vlorës, iu është "nxirë jeta".

Nëse merret parasysh edhe sezoni i dasmave, muaji gusht, veç kthimit të tij, në muajin e martesave të emigrantëve, të cilët vijnë në Shqipëri, si pasojë e pushimeve në vendet e punës ku punojnë në Europë, është kthyer edhe në muajin e "ferrit" për shqiptarët. Stresi i shkaktuar nga dhjetë kilometrat e rrugës, si dhjetë rrathët e Ferrit të Dantes, është shumë më i madh. Drejtues të shumtë të mjeteve, por edhe qytetarë udhëtarë, shprehen se kanë pësuar vonesa që iu kanë ngrënë kohën, por edhe shkatërruar pushimet apo gëzimet familjare. Ditët e shtuna dhe të diela rruga asfiksohet nga mjetet. Policia përpiqet të ndërhyjë për të normalizuar situatën. Mes zhegut, pluhurit, zhurmave të borive, uniformat blu duken gati të pafuqishme të kryejnë detyrën.

Pëpjekjet për të normalizuar qarkullimin duken qartë. Por nga ana tjetër drejtues të ndryshëm mjetesh të pandërgjegjshëm, arrijnë të krijojnë kordonë të dytë, duke sjellë kaos në trafik. Atëherë zgjidhjet janë ndëshkimet me anë të gjobave dhe deri edhe bllokimet e lejeve të qarkullimit. Mijëra gjoba janë prerë në këtë rrugë, vetëm gjatë këtyre muajve të verës. Ndërsa po me shifra që shkojnë mbi  normalen janë edhe bllokimet e lejeve të drejtimit. Por edhe kjo ndërhyrje nuk ka arritur të zgjidhë situatën e krijuar.

Sezoni turistik me by-pass të munguar

Sezoni turistik i këtij viti nuk arriti të sjellë kalimin e fluksit të automjeteve me pushues drejt plazheve të Jugut, nga bajpasi Fier-Levan. Këto ditë punimet për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor kanë marrë një  tjetër pamje. Kjo pas një ndërprerje të gjatë prej firmave kontraktore në terren.

Gjithçka kishte ardhur për shkak të tensionimit të marrëdhënieve mes firmës fituese të tenderit për këtë objekt “Serenissima Costruzioni” me firmat nënkontraktuese. Mes palëve qëndrojnë ende mosmarrëveshjet  që kanë si thelb të tyre, paratë e pashlyera, për vëllimet e punës së kryer. Këtë fakt indirekt e preku edhe Ministri i Transporteve Edmond  Haxhinasto, gjatë inspektimit që kreu në këtë By-Pass, në ditën e djeshme". Veç problemeve të tjera- nënvizoi ai, janë edhe shkaqet e marrëdhënieve mes firmës dhe nënkontraktorëve, që tashmë duket se janë zgjidhur në një pjesë, ndërsa pritet edhe përfundimi i tyre nëpërmjet sistemit të drejtësisë".

Të gjithë ëndërruam të qarkullonim në këtë pjesë, nyjë të rëndësishme të akseve të reja rrugore shqiptare. Afati i përfundimit të 22 kilometrave rrugë ishte muaji prill i këtij viti. Ky afat u shkel dhe tashmë firmës “Serenissima” i është vendosur një tjetër afat, që pretendohet muaji prill i vitit të ardhshëm. Ëndrra e shqiptarëve për të qarkulluar të paktën në një kah të kësaj superstrade, gjatë ditëve dhe netëve të kësaj stinee, ka marrë tashmë emërtimin, sipas një vepre të njohur letrare "Ëndërra e një nate vere"!

Kjo autostradë ka filluar të marr jetë në 6 maj 2014. Është për tu përmendur fakti se një prej drejtuesve të firmës fituese, kompanisë italiane “Serenissima Costruzione”, i quajtur Roberto Vigo, u shpreh gjatë ceremonisë së organizuar në mjediset e Bashkisë Fier se "Në muajin shtator të vitit 2015, ky by-pass do të jetë i shtruar me bazën e parë materiale (çakull) dhe nëse gjithçka sipas tij do të ecte sipas parashikimeve, pas 18 muajsh do të përfundonin krejt punimet. Ndërsa më pas vijuan odisetë e ndryshme të mosshlyerjeve të palëve. Kjo marrëdhënie solli bllokim të punimeve në terren. Në një kohë kur muaji prill ishte muaji i përfundimit të punimeve, ai solli në fakt një tjetër përfundim. Kontratat mes palëve fituese të tenderit dhe nënkontraktuesve u  prish. Rreth 15.557.340 euro , vlerë punimesh të kryera në terren, duket se u harruan. Ndërsa çështjet e borxheve detyrimeve mes palëve, tashmë janë në gjyqësor. Dëmi i shkaktuar popullit shqiptar nuk është llogaritur ende. Dhe nuk dihet, a do të ketë një kosto reale të dëmit të madh shkaktuar turizmit shqiptar dhe taksapaguesve, vetëm nga vonesa në përfundimin e by-passit Fier.

Projekti

Projekti për ndërtimin e këtij by-passi rrugor është financuar nga BERZH dhe BEI.  22 km rrugë kapin një vlerë prej 60 milionë euro. Gjurmët e aksit rrugor duken në periferi të qytetit Fier, në mes të fushave në perëndim të qytetit myzeqar. Shtrati i rrugës kalon përmbi lumin Seman përshkon fushat afër parkut Arkeologjik të Apolonisë. Ndërtimi dhe përfundimi i tij, sipas studimeve,  i jep një zhvillim të rëndësishëm industrisë në Fier, bujqësisë si dhe turizmit. 21 nënkalime janë parashikuar të ndërtohen në zona të ndryshme të rrugës. Nëse do të përfundojë, rruga do të ketë një gjatësi 22 km dhe është parashikuar që tabelat e lejimit të shpejtësisë të shënojnë 120km/orë. Gjerësia e rrugës parashikohet 22 metra me dy korsi. Të dhënat e marra nga faqja zyrtare e Autoritetit Rrugor Shqiptar tregojnë se Financimi i BERZH-it për këtë pjesë rruge është 35 milionë euro, financimi i BEI-t, ndërsa financimi i Kooperacionit Italian për Supervizionin e Punimeve eshte 0.715. Kompania e shpallur fituese nga procesi i prokurimit, me ofertën më të ulet është “Serenissima S.p.A”. Vlera e ofruar prej saj për ndërtimin e by-pass-it të Fierit është 39.87 milionë euro.

Ministri Haxhinasto: Punimet do të mbyllen sa më shpejt

Ministri Haxhinasto, pas debateve të shumta, bllokimit të punimeve deri përpara një muaji, u ndal ditën e djeshme në kantierin e ndërtimit në by-passin e Fierit. Ai vizitoi fillimisht pjesën hyrëse të këtij by-passi, në zonën e Mbrostarit. Ndërsa më pas i shoqëruar edhe nga drejtori i Autoritetit Rrugor, ndaloi në një tjetër segment ku po kryhen punime të shumta, në zonën e Baltëzës, Bashkia Fier. Ministri  Haxhinasto nënvizoi se në këtë vepër, ecuria e kohëve të fundit ka qenë pozitive. "Pozitive është që kompania "Serrenisima" ka filluar punën me ritme të larta. Në këtë vepër të rëndësishme për Jugun e vendit, janë realizuar mbi 50%  e veprës dhe puna është në rritje. Kompania po angazhon mbi 100 kamionë që punojnë në vepër dhe volumi ditor është i lartë. I bëj thirrje kompanisë që të përshpejtojë punimet për të përfunduar në kohë optimale këtë vepër të rëndësishme"-deklaroi ai. Ministri Haxhinasto ka pranuar vonesat e punimeve të kryera në këtë nyje të rëndësishme rrugore prej 22 km. "Kjo rrugë duhej të përfundonte në muajin prill të këtij viti-tha ai. Ndërsa shtoi se një marrëveshje e re mes Autoritetit Rrugor shqiptar dhe kompanisë Italiane "Serenissima" ka  sjellë rifillimin e punës duke shtuar edhe volumin e punimeve  "Tashmë në trasenë e rrugës hidhen rreth 8000 metra kub material. Kjo jep siguri për përfundimin në kohë optimale të këtij aksi rrugor"-tha ai. Ministri Haxhinasto nuk harroi të jepte edhe një përgjigje  lidhur me akuzat për taksën e rrugës së Kombit."

"Askujt nuk i pëlqen të paguaj taksa dhe sidomos për kalimin në akset rrugore. Dhënia me koncension është më se e nevojshme dhe një detyrim për të  mirëmbajtur këtë rrugë, për të mirëmbajtur tunelet, ndërhyrë në skarpatet që sjellin gurë e bllokojnë rrugën, ndërtimin e urave të reja për në Kukës-"deklaroi Ministri.

Përveç projektit në fjalë zoti Hasxhinasto  theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të rrugës së Arbrit. "Qeveria po bën vlerësimin e detajuar të kompanisë China State dhe se shumë shpejt do të konkludojë me ofertën e kësaj kompanie  dhe nënshkrimin e marrëveshjes me kushte të reja.

Besoj shumë shpejt do të konkludojmë edhe për ofertën e fundit të realizuar nga kjo kompani dhe pastaj do të përcaktojmë hapat e mëtejshëm" –deklaroi Ministri. Ndërkohë për ndërtimin e aeroportit në jugut të vendit.Ministri Haxhinasto ka theksuar se  qeveria shqiptare është duke punuar për studimin e  fizibilitetit të zonës, ku parashikohet ndërtimi i tij.

“Pas pak ditësh fillojmë studimi i fizibilitetit për aeroportin e jugut që do të jetë një zhvillim i rëndësishëm për infrastrukturën tonë aeroportuale.-tha Ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat