Një delegacion i Prokurorisë së Kosovës në Gjermani

Lajme

Një delegacion i Prokurorisë së Kosovës në Gjermani

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 10:46
Pamje nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj dhe disa prokurorë nga prokuroritë e vendit tonë po qëndrojnë për vizitë pune në Gjermani, ku në takime të ndara me drejtues të institucioneve të drejtësisë së Gjermanisë, është biseduar lidhur me organizimin e sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës dhe organizimin e sistemit prokurorial në Gjermani, njofton kumtesa.

Gjatë kësaj vizite delegacioni nga Kosova ka vizituar edhe Prokurorinë e Përgjithshme në Dyseldorf, ku është pritur nga kryeprokurori i Landit Nordrhein-Westfalen, Emil Brachthäuser. Në këtë takim kryesisht është diskutuar për strukturën e prokurorisë së përgjithshme, vlerësimin e prokurorëve dhe masat disiplinore për prokurorë.

Kryeprokurori Lumezi dhe kryeprokurori Brachthäuser, biseduan edhe për zhvillimin e aftësive organizative, posaçërisht në fushën e bërjes së politikave strategjike prokuroriale, mekanizmave koordinues, zhvillimin e karrierës së prokurorëve, përgjegjësinë e prokurorëve dhe llogaridhënien e tyre.

Në kuadër të kësaj vizite delegacioni nga Republika e Kosovës ka vizituar Ministrinë e Drejtësisë në Dyseldorf, ku është biseduar për kriteret e emërimit për prokurorët në Gjermani, për masat disiplinore ndaj tyre, si dhe për mënyrën e vlerësimit të prokurorëve.

Po ashtu ky delegacion, në krye me kryeprokurorin Lumezi, ka vizituar edhe Gjykatën e Lartë të Landit Këln, ku janë pritur nga zëvendës presidenti i Gjykatës së Lartë të Landit, Christian Schmitz-Justen. Në këtë takim është diskutuar për punën e senateve penale të Gjykatës së Lartë të Landit dhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme në Këln.

Në këto takime ndër të tjera është biseduar edhe për përvojat e sistemit prokurorial të Gjermanisë, me qëllim të ngritjes sëstandardeve të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës në standardet e sistemeve prokuroriale më të zhvilluara të vendeve të Evropës.

Poashtu gjatë këtyre takimeve të dyja palët u pajtuan se do të angazhohen të punojnë për thellimin e bashkëpunimit në mes sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës dhe sistemit prokurorial të Gjermanisë, për të shkëmbyer përvojat e prokurorive të dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit, me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit prokurorial të Kosovës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat