Ambasada e Bosnjës nuk ua lëshon vizat karateistëve të Kosovës për Kampionatin Ballkanik të Karatesë

Lajme

Ambasada e Bosnjës nuk ua lëshon vizat karateistëve të Kosovës për Kampionatin Ballkanik të Karatesë

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 23:07
ilustrim

Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) ka njoftuar sot se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Karatesë, për kadet, junior dhe U21, që do te mbahet nga 8 deri më 11 dhjetor.

“Për kundër ftesës dhe kompletimit me kohë të gjithë dokumentet e kërkuara nga Ambasada e Bosnjës dhe Hercegovinës në Shkup, sot u refuzua pajisja me viza për pjesëmarrësit e Federatës se Karatesë në Kampionatin Ballkanik që fillon nesër”, njofton Federata e Karatesë së Kosovës.  

Federata njofton se pas Kuvendit zgjedhor më datën 20 nëntor, i gjithë bordi i ri i Federatës së Karatesë u mobilizua që të kompletohen të gjithë procedurat e kërkuar nga organizatori, rezervimet në hotel për 51 persona (pagesa 30 %), regjistrimi i garuesve për pjesëmarrje, po ashtu regjistrimi i gjyqtarëve, trajnerëve.

“Edhe pse pas shumë bisedave të ndryshme me zyrtarët e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Ambasada e Bosnjës në Shkup refuzoi pajisjen me viza, akoma pa asnjë arsyetim zyrtar. Reagimi i FKK-së ka qenë i menjëhershëm, ku është kërkuar me shkrim nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës të na tregon arsyen e mos dhënies së vizave dhe presim një përgjigje me shkrim si dhe kthimin e menjëhershëm të pagesës që e kemi bërë për rezervimin e Hotelit “Alem” në Sarajevë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu kryetari i FKK-së, Ismet Krasniqi i ka inkurajuar të gjithë karateistët, se do të jenë edhe më të përgatitur për garat e ardhshme ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat