E pabesueshme por e vërtetë: Presidenti serb dekoron me medalje Myftiun shqiptar

Lajme

E pabesueshme por e vërtetë: Presidenti serb dekoron me medalje Myftiun shqiptar

Nga: Sevdail Hyseni Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 17:22
Ndarja e medaljes së argjend nga presidenti i Serbisë, Toma Nikoliq, për Myftiun e Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi.

Ndarja e medaljes së argjend nga presidenti i Serbisë, Toma Nikoliq, për Myftiun e Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, nuk kaloi pa jehonë.

Të shumtë janë zërat e përgëzimeve, që vinin në adresë të Myftiut Saqipi, brenda e jashtë Luginës, në shkallë rajoni.

Nuk ishin mësuar shqiptarët e të tjerët joserbë, të dëgjonin prej vitesh, se mund të dalë ndonjë Mirënjohje nga presidenca e Serbisë për ndonjë personalitet si Myftiu Saqipi, të jetë dekoruar me medalje për paqe.

Përveç deklaratave luftënxitëse, fletë arresteve, padive penale, e shantazheve dhe aferave të tjera të orkestruara nga Beogradi, për shqiptarët vështirë të jetë menduar ndonjë mirënjohje ose medalje për paqe si kjo e Myftiut Saqipi, të dhuruar nga vetë dora e presidentit Nikoliq.

Diçka e rrallë

Ka ndodhur, që zyrtarët serbë të marrin Mirënjohje nga liderët institucionalë shqiptarë, por jo edhe nga kreu shtetëror për personalitete të jetës publike shqiptare.

Ky ndryshim në ndarjen tradicionale të çmimeve, me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, vjen si rezultat e itensifikimit të proceseve dialoguese shqiptaro – serbe, tensioneve të acaruara politike, kohëve të fundit, rreth murit politik dhe trenit propagandistik, por mendohet edhe për një klimë më ndryshe politike në Serbi, ndaj shqiptarëve në Luginë, pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd e Nish, i cili pat premtuar një qasje më afirmative të zhvillimit politik dhe ekonomik në: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Po medalja për Myftiun Saqipi, nuk është diçka e rastësishme dhe befasuese.

Biografia jetësore e Molla Dinkës, siç njihet në popull, Myftiu Saqipi, është e pasur edhe me mirënjohje e certifikata të tjera të karakterit lokal dhe ndërkombëtarë.

Jo më pak se 30 vjet veprimtari me interes shoqëror e kombëtar të Molla Dinkës, kanë sjellë në biografinë e tij jetësore edhe mirënjohje të tjera me karakter paqësor si: Konferenca e Paqes në Stamboll, Sarajevë, pastaj misioni i tij pacifist para dhe pas konflikteve të armatosura në Luginë etj.

Portreti shumëdimensional

Veprimtaria e Molla Dinkës, është shumëdimensionale dhe mjaft komplekse. Ai, shtrinte aktivitete në shumë drejtime dhe nuk ndalej asnjëherë.

Sot ruhen me fanatizëm Mirënjohjet e Molla Dinkës, për mbështetje financiare Revistës “Jehona”, Fondit të Solidaritetit, KDNJ e shumë iniciativa për të mirën e avancimit politik të shqiptarëve në Luginë.

Një Mirënjohje të veçantë e ka Molla Dinka, rreth mobilizimit të dhunshëm, të 24 prillit të vitit 1999, në Tërnoc, me të cilën nderohet me “Urdhrin e trimërisë”, për veprimtarinë në emër të paqes dhe lirisë. Po të mos kishte qenë Molla Dinka, në ballë të 84 të mobilizuarve të dhunshëm tërnocas, nga ish ushtria jugosllave, zor se do të kishte ekzistuar Tërnoci ashtu siç është e lëre më vendbanimet e tjera të Bujanocit dhe Preshevës, të cilët i mbanin sytë nga Tërnoci, për të mbetur apo për t’ua mbathur këmbëve, ashtu siç ikën shqiptarë e Kosovës për në Maqedoni dhe Evropë.

Vepra jetësore

Këto vepra jetësore, natyrisht se sjellin edhe Mirënjohje, qoftë edhe nga pushtetet më të egra, prej të cilave nuk pritet shpërblime, përveç ndëshkimeve.

Lugina e Preshevës, nuk duhet të krenohet vetëm me njerëzit e pushkës, si kauzë kombëtare, por edhe me ata të penës e misionit paqësor siç është Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat