Rrëfimi për vrasjen në Shtërpcë: Çfarë e shtyu serbin drejt krimit monstruoz ndaj foshnjave 40 ditëshe

Lajme

Rrëfimi për vrasjen në Shtërpcë: Çfarë e shtyu serbin drejt krimit monstruoz ndaj foshnjave 40 ditëshe

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 17:54
Dejan Krstiçiq, autori i krimit dhe gruaja e tij Ana Krstiçiq

35-vjeçari serb, Dejan Krsticiq, baba i binjakëve 40 ditësh, mbrëmë rreth orës 19:30, ka vrarë me thikë njërën nga foshnjat e tij, kurse tjetrin e ka plagosur rëndë. Express ka qëndruar të martën në Shtërpcë, ku ka biseduar me fqinjët dhe të njohurit e 35 vjeçarit, i cili kreu krimin ndaj foshnjave binjake të moshës 40 ditëshe.

Mbrëmë, në Shtërpcë, ka ndodhur një tragjedi e tmerrshme. Dejan Krstiçiq, profesor i edukatës fizike në Shkollën e Mesme të Shtërpcës, mbyti me thikë njërin prej binjakëve të tij, kurse tjetrin e plagosi rëndë.

Foshnja 40 ditëshe është goditur në zemër, kurse tjetri është dërguar në spitalin e Nishit në Serbi për mjekim, pasi ishte goditur në stomak. Të dy foshnjat janë binjakë meshkuj.

Komshinjtë e Dejan Krstiçiq, të martën, kanë folur duke treguar se mbrëmë në orën kur ndodhi krimi, nuk kishin dëgjuar asgjë. Ata thonë se Dejanin e njihnin si njeri të qetë.

“Asnjëherë nuk kemi pasur probleme me të. Ai ka qenë i qetë, kurrë askush nuk ka pasur probleme me të”, ka thënë njëra nga banoret që jeton afër shtëpisë së Dejanit në Shtërpcë.

Edhe një banor tjetër, Dejanin e përshkruan si komshi të mirë dhe komunikativ.

“Nuk më besohet se çfarë ka bërë. Me sa duket, Zoti t’i qorron sytë në një moment. Nuk besoj se ai e ka bërë këtë akt me vetëdije të plotë”, ka thënë një banor, i cili deshi të mbetet anonim.

35 vjeçari i nacionalitetit serb, me gruan Ana Krstiçiq, që ishte nga rrethina e Shtërpcës, jetonin në shtëpi familjare, bashkë me prindërit e Krstiçiqit.

Me të arritur te shtëpia e Dejan Krstiçiq, media ka takuar vëllain e tij. Mirëpo, ai nuk pranoi të flasë dhe kërkoi nga ekipi i të largohen nga shtëpia ku një natë më parë kishte ndodhur krimi.

Media ka biseduar edhe me zëvendës drejtorin e shkollës së Mesme të Shtërpcës “Jovan Cvijaniq”, Aleksander Kojiç.

Ai tha se me autorin e vrasjes nuk kanë pasur probleme as drejtoria por as vetë nxënësit e shkollës.

Ndërsa, sekretarja e kësaj shkolle, bëri të ditur se Krstiçiq ka qenë profesor i edukatës fizike në këtë shkollë për 6 vite me radhë.

Shkolla e Mesme e Shtërpcës, “Jovan Cvijaniq” – Shtërpcë, aty ku Dejan ishte profesor i edukatës fizike.

Agim Gashi, zëdhënës i Policisë në rajonin e Ferizajt, ka thënë se vrasja është kryer me thikë dhe se për rastin janë lajmëruar nga familjarët, mbrëmë rreth orës 19:30.

Motivet e vrasjes ende nuk dihen zyrtarisht, mirëpo thuhet se akti ndodhi pasi Dejan (35-vjeçar) kishte mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, që sapo ishin martuar – treguan komshinjtë, dhe se çoi deri te vrasja e njërit nga binjakët, plagosjen e tjetrit, që ende nuk i kishin mbushur 2 muaj jetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat