Kundër-korrupsioni ka deponuar dhjeta kallëzime penale ndaj zyrtarëve të shtetit

Lajme

Kundër-korrupsioni ka deponuar dhjeta kallëzime penale ndaj zyrtarëve të shtetit

Më: 21 mars 2017 Në ora: 17:12
Agjencia Kundër Korrupsionit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka deponuar në Prokurori dhjetëra kallëzime penale, nën dyshime për korrupsion në institucionet qendrore dhe lokale të vendit.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli i tha Radios Evropa e Lirë se niveli i korrupsionit vazhdon të jetë prezent në shumë institucione. Sipas tij, ndër fushat më të ndjeshme vazhdon të jetë ajo e prokurimit publik.

“Agjencia edhe gjatë këtij viti ka dhënë opinione dhe ka ushtruar kallëzime penale sa i përket natyrës së punës së prokurimit. Kjo fushë vazhdon të jetë më e ndjeshme sa i përket korrupsionit", tha Havolli.

Tutje, Havolli tha po ashtu se agjencia ka trajtuar dhe po trajton raste për të cilat ka marrë informacione se persona të caktuar mund të jenë përfshirë në afera korruptive.

“Edhe gjatë këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsion ka trajtuar një mori informatash nga kanale të ndryshme, si nga informatat anonime apo edhe nga institucionet e ndryshme", tha Havolli.

Me miratimin e Ligjit për Prokurimin Publik në vitin 2003, i cili i ishte nënshtruar disa procedurave të plotësim-ndryshimit, ishte synuar parandalimi i korrupsionit.

Bashkimi Evropian në pothuajse të gjitha raportet e tij për Kosovën, ka nënvizuar problemin e korrupsionit dhe në veçanti funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si të dobët.

Prokurimi publik në Kosovë për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat