Vrasja e Zejnepe Berishës nga bashkëshorti, i akuzuari rrëfen momentet e vrasjes

Lajme

Vrasja e Zejnepe Berishës nga bashkëshorti, i akuzuari rrëfen momentet e vrasjes

Më: 21 mars 2017 Në ora: 19:47
Seancë gjyqësore

Në seancë të mbyllur, i akuzuari Nebih Berisha ka rrëfyer ngjarjen dhe motivet që e shtynë ta vriste bashkëshorten e tij në Suharekë.

Pas një konsulte me Nebih Berishën, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Zejnepes, eksperti i forenzikës psikiatrike dr. Arsim Gashi tha se klienti i tij mund të marrë pjesë dhe ta përcjellë seancën gjyqësore.

“Pas konsultës paraprake me klientin Berisha, konstatoj se klienti mund të marrë pjesë në seancë gjyqësore, është në gjendje t’i kuptoj procedurat dhe të japë mbrojtjen, mirëpo për shkak të gjendjes emocionale ndoshta do të ketë nevojë për pushime apo pauza të kohëpaskohshme”, tha eksperti psikiatrik.

Pas dëgjimit dhe mendimit të ekspertit psikiatrik, prokurori dhe mbrojtja nuk patën propozime për prova të reja me çka edhe përfundoi procedura e provave në këtë çështje.

Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e deklaratës së të akuzuarit Nebih Berisha, me ç’rast trupi gjykues mori aktvendim që seanca nga ky moment të jetë e mbyllur për publikun, ngase bëhej fjalë për çështje private familjare.

Gjatë dëshmisë së të akuzuarit, prezent ishte monitoruesi i KALLXO.com, mirëpo meqë seanca ishte e mbyllur deklaratat e të akuzuarit të dhëna para trupit gjykues nuk do të bëhen publike.

Pas seancës, Esat Gutaj, avokat i të akuzuarit, tha për KALLXO.com se klienti i tij në hollësi ka përshkruar gjithë ngjarjen dhe motivet që e kanë shtyrë për kryerjen e veprës penale.

“Sipas rregullave dhe sipas kodit të procedurës, ku ka çështje që janë të lidhura me interesa personale, gjykata merr vendim vet për me e përjashtu publikun ose mos të lejojë incizime për shkak të privatësisë. Me datën 5 prill e kemi fjalën përfundimtare prokuroria dhe mbrojtja. Janë administru të gjitha provat, është marrë në pyetje i akuzuari dhe është vetëm edhe fjala e fundit e mbrojtjes dhe e prokurorisë”, tha Gutaj për KALLXO.com.

Nebih Berisha akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berishën dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat