Dilemat rreth origjinalitetit të dokumentit shtynë seancën

Lajme

Dilemat rreth origjinalitetit të dokumentit shtynë seancën

Më: 27 mars 2017 Në ora: 21:58
Pamje nga seanca e gjykimit për krim të organizuar dhe shmangie nga tatimi

Në gjykimin e tetë personave, të akuzuar për krim të organizuar e shmangie nga tatimi, ka vazhduar dëshminë hetuesi tatimor, Besim Haziri.

Hetuesi tatimor Besim Haziri ka vazhduar dëshminë në gjykimin e tetë personave, të cilët akuzohen për krim të organizuar dhe shmangie nga tatimi, me ç’rast dyshohet se buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej mbi 4 milionë euro.

Sipas aktakuzës, Blerim, Skender dhe Fatmir Sinani, Isa Dërguti, Samir Sinanaj, Sabit Sogojeva, Enver Hasani dhe Mentor Emini, duke duke funksionuar si grup i organizuar në periudhën kohore 2010-2014, me qëllim që vetes t’i sjellin pasurim të drejtpërdrejtë financiar, i kanë regjistruar bizneset e tyre, disa prej tyre fiktive.

Aktakuza sqaron se për t’iu shmangur pagesës së tatimit të akuzuarit kanë lëshuar fatura fiktive dhe ua kanë mundësuar edhe bizneseve të tjera shmangien nga tatimi.

Në ditën e dytë të dëshmisë së Besim Hazirit, mbrojtja e të akuzuarit Isa Dërguti i propozoi trupit gjykues që dëshmitari të ballafaqohet me Raportin e Kontrollit.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori i rastit por u përkrah nga avokatët e të akuzuarve të tjerë.

Më pas, trupi gjykues e miratoi kërkesën e avokatit të të akuzuarit Dërguti.

Me të pranuar Raportin, dëshmitari tha se nuk është i njëjtë me atë të lëshuar prej tij. Hetuesi tatimor tha se dyshon në origjinalitetin e Raportit.

“Raportin që ne e kemi hartuar nuk është i njëjtë me këtë Raport. Faqja e dytë nuk është e njëjtë”, tha ai.

Njëjtë reagoi edhe përfaqësuesi juridik i ATK-së, Rexhep Gashi, i cili para trupit gjykues dorëzoi kopjen e Raportit, i cili sipas tij është i njëjtë me atë që është dorëzuar në Zyrën Ligjore të ATK-së.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Elmaz Zenuni drejtuar të akuzuarit Isa Dërguti se ku e keni marrë ju këtë Raport, ai u përgjigj: “Ky raport është dorëzuar në biznesin tim nga inspektorët e ATK-së, e pasi që unë nuk kam qenë aty i njëjti i është dorëzuar motrës time”.

Pasi që kishte kontestim rreth origjinalitetit të dokumentit të paraqitur si provë nga ana e të akuzuarve, trupi gjykues mori aktvendim që shqyrtimi gjyqësor të ndërpritet dhe iu drejtua ATK-së me kërkesë që të sigurohen raportet origjinale nga ATK-ja për të gjitha bizneset e të akuzuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat