Plas sherri mes 'grave' të Ramës e Blushit

Lajme

Plas sherri mes 'grave' të Ramës e Blushit

Më: 20 prill 2017 Në ora: 23:08
Plas sherri mes 'grave' të Ramës e Blushit

Sherri i ashpër në Kuvend mes dy ish-miqve Edi Rama dhe Ben Blushi është zhvendosur ditët e fundit, mes grave të partive që drejtojnë. Pasi Elisa Spiropali nëpërmjet një statusi denigroi Ben Blushin, për deklaratën e tij se Rama do të mbahet mend si kryeministri që përveç të tjerave, përzuri edhe bletët nga Shqipëria, Matilda Tëpollari anëtare e Bërthamës (kryesisë) së Libras i është kundërpërgjigjur ashpër.

Spiropali që mban edhe postin e lartë të Sekretares për Rininë në Partinë Socialiste Elisa Spiropali, e cilësoi dje deputetin Ben Blushi, “një grenxë që urren çdo bletë e çdo nektar’.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i koordinatores së LIBRA-s gazetares Matilda Terpollari, e cila akuzon për vjedhje Spiropalin duke i kërkuar njëkohësisht llogari, se çfarë lidhje ka me doganierët e arrestuar për drogën rekord të kapur së fundmi në Itali.

“Ish-doganierja, në vend të na përgjigjet ç’lidhje ka me doganierët e arrestuar, bën biologen. Mos vallë do jetë ministrja e ardhshme e Bujqësisë pas fjalimeve për Skënderbeun? Të paktën shoqen Lenka, e bënë ministre se vilte me të dyja duart. Rilindja bën atë që vjedh me dy duar”, replikon Tërpollari.

Gjatë ditës së djeshme Elisa Spiropali e krahasoi kryetarin e Tërpollarit, me ushtarin e mirë Shvejk.

“O Blush, duket qartë që je një grenxë që s’ke haber nga bletët. Bletët mor Blush nuk kanë neuroreceptore (cnr) që t’i zërë pija apo tymi i barit, por ti Blush je bërë si Shvejku që thoshte ç’më duhet mua çfarë them unë. Kur them unë që ti Blush lexon vetëm librat e tu, njerëzia kujtojnë se e kam me talentin tënd letrar, për të cilin në fakt nuk kam ndonjë respekt. Sepse ti o Blush je një asshkrimtar aspolitikan, as nektar as bletë, po një dembel qe llafollogjis për të pickuar dynjanë si një grenxë që urren çdo bletë e çdo nektar. Mezi po pres të të shoh o Blush kur të shohësh se nuk të ha njeri as për libër as për libra në 18 qershor”, sulmoi Spiropali.

Ndërkohë një ditë më parë deputeti Ben Blushi tha se kryeministri Rama do mbahet mend për zhdukjen e bletëve, për shkak të kultivimit masiv të kanabisit.

“Edi Rama do mbahet mend për shumë dëme që i ka bërë këtij vendi por një prej tyre është zhdukja e bletëve. Nga mbiprodhimi dhe kultivimi masiv i kanabisit mësohet se afro 40 për qind e koshereve të vendit nuk i kanë rezistuar dot dehjes nga kullotat e hashashit dhe janë shfarosur. Nga 360 mijë koshere bletësh që kishim vjet këte vit kemi 140 mijë më pak. Dëmi i llogaritur për bletërritësit shkon deri ne 60 milion euro. A duhen më shumë arsye për ta hequr një Kryeministër që vret bletët?”, shprehej po ditën e djeshme Ben Blushi, për kryetarin e Spiropalit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat