I akuzuar për nxitje të urrejtjes, Asim Cenaj deklarohet i pafajshëm

Lajme

I akuzuar për nxitje të urrejtjes, Asim Cenaj deklarohet i pafajshëm

Më: 26 prill 2017 Në ora: 18:20
Zyrtari komunal i Deçanit, Asim Cenaj

Zyrtari komunal i Deçanit, Asim Cenaj, u deklarua i pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Muharrem Bajraktari.

I akuzuar për nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, zyrtari komunal i Deçanit, Asim Cenaj, tha në gjykatë se nuk ndihet fajtor.

“Nuk ndihem aspak fajtor”, deklaroi i pandehuri Cenaj.

Asim Cenaj u deklarua kështu pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Muharrem Bajraktari.

“Me të marr fjalën para personave të zhvendosur, të cilët kishin ardhur nga Serbia,  u drejtohet me fjalët: Të keni turp që keni ardhur sepse nuk jeni të mirëseardhur. Ne e dimë shumë mirë kush jeni ju. Ju më vratë sot për të tretën herë dhe ardhja juaj është provokim për neve”, citoi prokurori të ketë thënë i pandehuri në takimin e 1 dhjetorit të vitit të kaluar në një takim të zhvilluar në sallën e Asamblesë së Komunës.

“Fillimisht është dashur Policia, kryetari i Komunës dhe KFOR-i që të vijnë me i pyetur fshatarët se ne i njohim fort mirë se kush jeni dhe ne kemi formuar edhe dosjen. Sikur të kishit pasur pak nder dhe moral nuk kishit ardhur me na provokuar kështu”, kishte thënë po ashtu Cenaj sipas aktakuzës.

“Tani për 30 minuta do t’i lajmëroj të gjithë familjarët e të pagjeturve dhe të vrarëve që janë me qindra dhe tani Policia, kryetari dhe KFOR-i të ballafaqohen me ta”, kishte vijuar i pandehuri sipas prokurorit Bajraktari.

Pas këtij fjalimi, sipas aktakuzës, Asim Cenaj ishte larguar nga salla e takimit, ndërsa Policia e Kosovës kishte bërë sigurimin e personave të komunitetit serb.

Sipas aktakuzës, Cenaj e kreu veprën penale më 1 dhjetor të vitit të kaluar gjatë një takimi me personat e zhvendosur të komunitetit serb dhe malazez në Asamblenë Komunale të Deçanit, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë komunalë, të KFOR-it dhe Policisë.

Edhe pas përfundimit të seancës, Asim Cenaj tha se ndihet i pafajshëm dhe fjalimin e para një viti sërish do ta kishte përsëritur.

“Kam kërkuar një të drejtë të një kategorie që unë përfaqësoj në Deçan. Kam kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo nuk do të thotë që mua personalisht ose përgjithësi shqiptarët do t’i ndalë për kërkimin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Po sikur të me jepet mundësia të njëjtat që i kam thanë edhe vitin e kaluar do t’i përsëritsha qoftë edhe midis Beogradit ose Brukselit”, tha Cenaj pas seancës.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit, Kujtim Kërveshi, në fillim të seancës dha vërejtjet e tij rreth përkthimit të një prove nga Prokuroria nga gjuha angleze në atë shqipe.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 6 qershor, ndërsa mbrojtja tha se do parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Kallxo raportoi për ndërprerjen e seancës fillestare para një muaji për shkak së Prokuroria nuk i kishte përmbushur detyrimet ligjore, duke mos i përkthyer disa prova në gjuhën shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat