I dëmtuari: Kështu u falsifikuan dokumentet e pronës

Lajme

I dëmtuari: Kështu u falsifikuan dokumentet e pronës

Më: 30 prill 2017 Në ora: 23:12
Ilustrim

Murat Ternava dëshmoi për pronën mbi 10-hektarëshe të cilën e kishte marrë në shfrytëzim dhe problemet që i dolën me kalimin e kohës me të akuzuarit.

Në seancën e radhës të gjykimit të të pandehurve Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, ka dëshmuar Murat Ternava, i cili në këtë lëndë është në cilësinë e të dëmtuarit.

Ternava deklaroI se fillimisht në vitin 2002 së bashku me Hysen Shahinin dhe Ismet Osmanin kishin nënshkruar kontratë me pronarin legjitim –KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia” lidhur me marrjen në shfrytëzim për 10 vjet pronën e patundshme me sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë, e cila gjendet në Fushë-Kosovë.

“Kontrata ishte përpiluar në atë mënyre që të zgjaste 10 vite dhe se në rast se nuk do të vazhdohej për ndonjë arsye apo në qoftë se do t’i kalonte në pronësi ndonjë personi të tretë, pala kontraktuese apo pala e tretë do të ishin të obliguar që t’i paguanin investimet e bëra”, tha ai.

Po ashtu, Ternava deklaroi se në atë vend ka ndërtuar 3 objekte me 5,000 m2 e që sipas vlerësimit të zyrave të pronës së Komunës se Prishtinës objektet në fjalë kishin vlerën 2.2 milionë euro, kurse sipas vlerësimeve të tij investimet kanë qenë diku rreth 1.3 milion euro.

I dëmtuari Murat Ternava tha se pronën e kishte shfrytëzuar pa problem deri në vitin 2004.

“Pengesat lidhur me pronën u shfaqën në vitin 2004, kur Arben Bashota me grupin e tij filluan të qarkullonin pranë objekteve ku dhe tentuan të futeshin. Edhe pse kemi qenë me kontratë të rregullt valide nuk e kemi ndje veten të sigurt as unë e as familja ime e po ashtu as qiraxhinjtë që kishin marrë objekt në shfrytëzim aty duke e ditur se me çfarë njerëz do të ballafaqoheshim”, tha Ternava.

Lidhur me problemet Ternava tha se ishte njoftuar nga një person i quajtur Zeqir Krasniqi.

“Problemet filluan në vitin 2004 kur nga drejtori i “Bujqësisë” Zeqir Krasniqi jam njoftuar që toka ka kaluar në emër të personit Mitroviq Marko, i cili më pas më thirri në telefon dhe më tregoi se është bërë një falsifikim dhe se toka në librat kadastralë është qitur në emër të tij. Më pas është paraqitur ArbenBashota me dokumentacion të falsifikuar, pas të cilit ne jemi ankuar dhe procesi ishte ndalur”, tha Ternava.

Ternava tregoi para gjykatës se lidhur me këtë rast ishte zhvilluar një procedurë penale për falsifikim.

“Ndaj Mitroviq Markos ishte zhvilluar procedura penale për falsifikim në të cilën ai ishte deklaruar se nuk kam pasur kurrë tokë aty dhe se dokumentacioni ishte falsifikuar nga Arben Bashota. Këto informata i kam marrë në Polici kur kisha shkuar si dëshmitar pas rastit të tentim vrasjes mes Ismet Osmanit dhe të akuzuarve”, tha Ternave.

Po ashtu Ternava tregoi momentin e shfaqjes së shenjave të para të kërcënimit.

“Pasi shkova si dëshmitar pas rastit të tentim vrasjes, Arben Bashota së bashku me disa persona të tjerë vazhdimisht kanë qëndruar pranë objekteve të mia nga ku dhe me kanë shfaqur shenja kërcënimi duke treguar revolen dhe duke simuluar prerjen në fyt nga larg”, tha Ternava.

Më tej, Ternava u deklarua edhe për ditën e konfliktit.

“Në vitin 2008 Shahini me ka kërkuar që kontratën ta dërgoj tek parcela në të cilën ishin të pranishëm edhe disa nga të akuzuarit të cilët kishin sjellë një ekskavator dhe kishin filluar disa punime dhe pas dërgimit te kontratës dhe leximit të saj nga ana e Policisë se Kosovës. Po në te njëjtën ditë, në mbrëmje, në ora 19:00, ndodhi gjuajtja me armë në Dardani në lokalin e Hysen Shahinit ku dhe mbetën të lënduar 13 persona”, tha Ternava.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Ternava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat