Xhabir Zharku mund të kthehet i lirë në Kosovë

Lajme

Xhabir Zharku mund të kthehet i lirë në Kosovë

Më: 14 maj 2017 Në ora: 15:22
Xhabir Zharku

Gjashtë vjet më parë, ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte gjetur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Zharku përkundër se dënimi i ishte bërë i plotfuqishëm nuk ka shkuar asnjëherë në vuajtje të dënimit ndërsa në media u raportua se gjendet në një vend skandinav.

Në maj të vitit të ardhshëm Zharku mund të kthehet në Kosovë e dënimi ndaj tij nuk do të mund të ekzekutohet më.

Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave  penale të  detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës. Ai ishte dënuar me tre vjet burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro.

Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rakaj të Ferizajt. Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo, pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqen për ta fituar atë tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.

Vendimi i shqiptuar ndaj Zharkut u vërtetua nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012. Ndonëse kanë kaluar 5 vjet qëkur ky dënim mori formën e prerë, Zharku nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit. Ai është larguar nga Kosova ndërsa nëpër media u raportua disa herë se  Zharku po qëndron në Suedi.

Shpjegim lidhur me këtë situatë juridike, jepet edhe në Komentarin e Kodit Penal të Kosovës, të botuar nga GIZ.

Në faqen 340 të këtij komentari, në pjesën e komentuar nga profesori i njohur i të drejtës penale, Ismet Salihu, duke komentuar paragrafin 6 të nenit 110 të Kodit Penal të Kosovës thuhet se kur kalon dyfishi i afatit duhet të ndërpritet çdo veprim.

“Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit paraqitet në çdo rast kur të kalojë dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, pa marrë parasysh sa ndalje dhe ndërprerje kanë qenë dhe pa marrë parasysh kohëzgjatjen e tyre”, thuhet në Komentarin e Kodit Penal të Kosovës.

Kallxo.com lidhur me këtë rast ka kontaktuar përmes telefonit edhe me avokatin Tahir Rrecaj që kishte ndërmarr disa veprime në çështjen e Zharkut.

Edhe avokati Rrecaj tha se Zharku mund të kthehet në Kosovë pas parashkrimit absolut dhe lidhur me veprën për të cilën ishte dënuar të mos merret asnjë veprim ndaj tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat