Flet vajza që sulmoi me vezë Vlora Çitakun: Nuk desha t’ia hidhja por ja pse e bëra

Lajme

Flet vajza që sulmoi me vezë Vlora Çitakun: Nuk desha t’ia hidhja por ja pse e bëra

Nga: B.S Më: 18 maj 2017 Në ora: 12:38
Vlora Çitaku

Blerta Avdili ishte vajza që gjuajti me vezë ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakun.

Ajo ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka treguar arsyet pse e ka bërë sulmin ndaj saj, përcjell Bota sot.

Ajo thotë se aksioni i saj ishte kundër regjimit që përfaqëson Vlora Çitaku.

Avdili ka shkuar se populli i Kosovës jeton në një burg me qiell të hapur, për shkak të pushtetit pjesë e të cilit është dhe Çitaku. Poashtu ajo ka thënë se vezët ka dashur t’ia japë në dorë, për sipas saj, për shkak të josinqeritetit, ajo ia ka hedhur ato.

Lexoni të plotë postimin e saj:

Aksioni im individual kundrejt regjimit që përfaqëson Vlora Çitaku

Ka vite që jam e indinjuar thellësisht me situatën e krijuar nga regjimi autoritar i instaluar në Kosovë nga partitë në pushtet dhe njerëzit e dala nga këto parti, si Ambasadorja Vlora Çitaku. Partitë e pushteti në Kosovë dhe njerëzit e dala prej tyre e kanë lënë popullin tim me një prej sistemeve më të degraduara shëndetësore dhe arsimore në botë. Populli në Kosovë jeton si në një burg nën qiell të hapur nën një dhunë të vazhdueshme sistemike. Në aktivitetin që u mbajt dje në Universitetin e Denverit, në Kolorado, në ShBA, unë i kam drejtuar disa pyetje Vlora Çitakut lidhur më korrupsionin në Kosovë dhe degradimin e përgjithshëm që ka sjell pushteti që ajo përfaqëson. Gjithashtu, unë e kam mbajtur përgjegjës këtë pushtet dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Vlora Çitakun, për persekutimin e vazhdueshëm të aktivistëve të opozitës me prova dhe raste gjyqësore të montura, që kanë çuar deri te vrasja në burg e aktivistit Astrit Dehari. I njëji pushtet ka refuzuar një hetim ndërkombëtar mbi këtë vrasje. Vlora Çitaku u përpoq ta relativizonte situatën duke mos qenë e sinqertë para publikut dhe duke u përpjekur sërish që ta mbulonte krimin e pushtetit që ajo përfaqëson. Unë kisha menduar që t’i bëja Vlora Çitakut si dhuratë dy vezë të prishura të cilat doja t’ia jepja në dorë në formë simbolike për kalbjen e regjimit që ajo përfaqëson. Por nisur nga mungesa e theksuar e sinqeriteti të saj, dhe nga manipulimi që bëri, si dhe nga fakti që moderatorja e aktiviteti ndërhyri në debat duke mos më lejuar që t’ia dorëzoja vezët e prishura Vlora Çitakut, atëherë unë vendosa t’i gjuaj ato dy vezë në drejtim të Vlora Çitakut, në shenjë proteste ndaj gjithçkaje që po heq populli im prej njerëzve si ajo dhe pushtetit që ajo përfaqëson.

Unë jam qytetare e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe nënshtetase amerikane, dhe kam vepruar e pakoordinuar me asnjë individ tjetër, organizatë apo subjekt politik. Aksioni im është individual dhe unë mbaj përgjjegjësi të plotë personale për qëndrimet dhe veprimet e mia. Unë nuk jam anëtare e asnjë subjekti politik. Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se jam shëndoshë e mirë, dhe se nuk do ndalem në kërkesën time të vazhdueshme për drejtësi për popullin në Kosovë./BS/

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat