Sot, një delegacion nga Lugina dhe diaspora, musafirë të Presidentit, Shkëlqesisë së tij, z. Bujar Nishani

Lajme

Sot, një delegacion nga Lugina dhe diaspora, musafirë të Presidentit, Shkëlqesisë së tij, z. Bujar Nishani

Më: 20 maj 2017 Në ora: 00:27
Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z.Bujar Nishani

Preshevë, 20 maj - Më 7 mars të këtij viti, për 7.5 orë, Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e TIj, z.Bujar Nishani, vizitoi Luginën e Preshevës, Bujanocin dhe Preshevën. Presidenti Nishani, hyri në këto troje nga Bujanoci dhe u kthy për në Shqipëri, nga Presheva, Karadaku i Kosovës Lindore.

Ajo vizitë, ishte dhe mbetet historike për banorët e asaj treve, ku ende diskutohet e do të diskutohet brez pas brezi vizita në fjalë. Siç na njoftoi këshilltari i Presidentit, Ambasadori, prof.dr.Flamur Gashi, sot, një delegacion i Luginës së Preshevës, pozitë e opozitë e nga shoqëria civile, si dhe nga mërgata e kësaj ane, do të jenë musafirë special në Presidencë. Me këtë rast, sipas të gjitha gjasave, do të jenë musafirë afërsisht 30 bashkëkombas nga këto treva dhe do të darkojnë së bashku me presidentin dhe do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë edhe për tema të ndryshme.

Ky takim, ka karakter falënderimi dhe bashkëpunimi edhe në të ardhmen me këta banorë shqiptarë, që jetojnë në Preshevë, Bujanco dhe Medvegjë. Musafirët, do të jenë nga tre komunat dhe fillon nga ora 17.30. Pritja, do të jetë vëllazërore dhe falënderuese e padyshim, se kjo vizitë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë nga Lugina e Preshevës dhe diaspora, duke falënderuar presidentin dhe stafin e tij, e që nuk mbahet ndërmend, që dikush ti ketë ftuar në këtë mënyrë, së bashku pozitë e opozitë për të bashkëbiseduar me presidentin dhe të darkojnë si vëllezër, ashtu të bashkuar si na ka hije dhe na takon. Nga diaspora do të jenë present, Fazli Musliu, kryetar i SHHLP-së, Zvicër, Dr.sc.Llukman Halili, President i Institutit Helvetikë të Europës Juglindore në Zvicër, Rafet Ademi, nënkryetar i SHK “Jehona”, Zvicër, Agron Rahimi, veprimtarë i njohur, Mr.sc.Dashnim Hebibi, gazetarë e publicist, si dhe nga Kosova, Dr.Dergut Aliu, drejtor i spitalit “Lindja”, veprimtarë i njohur nga Bujanoci.

Ishin të ftuar edhe z.Zenel Neziri, kryetar i SHH “Medvegja”, Zvicër, Fadil Selmani, kryetar i  Asociacionit SOS Medvegjë-Çamëri, Ismet Selmani, veprimtarë i dalluar i çështjes kombëtare, por për disa arsye private, nuk kanë mundur të jenë prezent, por kanë falënderuar nga zemra presidentin dhe stafin e tij, që nuk e harroi dhe nuk po e harron diasporën shqiptare. Z.Gashi, shtoi ndër të tjera, se: “Presidenti i ka ftuar edhe nga pozita politike, por edhe nga opozita, pa përjashtuar edhe diasporën shqiptare, sepse presidenti, ka dashur, donë dhe do të dojë, që gjithë shqiptarët, kudo që janë, të jenë të bashkuar për të mirën e përgjithshme.

Do të jetë një pritje e përzemërt dhe shpresoj shumë, se do të kalojmë mirë. Presidenti, Bujar Nishani, gjatë tërë mandatit të tij, asnjëherë nuk ka ngurruar për ti takuar vëllezërit Luginas dhe me këtë rast, dëshiron, që edhe në të ardhmen të ketë bashkëpunim dhe të vazhdojnë të bashkuar për të mirën e atyre trojeve të etnisë shqiptare”. / Dashnim HEBIBI

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat