Apeli e lë në paraburgim biznesmenin e dyshuar për ryshfet

Lajme

Apeli e lë në paraburgim biznesmenin e dyshuar për ryshfet

Më: 21 maj 2017 Në ora: 05:54
Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e avokatit të biznesmenit Rrahim Hashimi të ushtruar ndaj vendimit për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Hashimi, sipas pretendimeve të prokurorisë, ka pranuar para për të minimizuar apo mbyllur një rast penal në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lajmin për refuzimin e ankesës nga Gjykata e Apelit për KALLXO.com e konfirmoi avokati Nikë Shala.

“Sot e kam pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit që kanë refuzuar ankesën e ushtruar nga unë lidhur me caktimin e paraburgimit. Unë jam duke e shqyrtuar mundësinë t’i drejtohem Gjykatës Supreme”, tha Shala.

Më 5 maj të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj biznesmenit Hashimi.

Hashimi, sipas pretendimeve të prokurores së Prokurorisë Speciale të Kosovës Fikrije Fejzullahu, dyshohet se ka kërkuar nga të dëmtuarit V.H dhe F.B kundër të cilëve kishte filluar një procedurë penale, një shumë parash prej 100 mijë eurove me qëllim që të njëjtëve t’u minimizohet rasti apo të përmbyllet.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë të paraqitura në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, i pandehuri nga familjarët e të dëmtuarve fillimisht ka marrë 50 mijë euro.

Sipas prokurorisë, falë këtij ryshfeti të dëmtuarit kanë përfituar masa më të lehta të sigurisë.

Tutje prokuroria pretendon se për të vazhduar ndihmën rreth procedurës, të dëmtuarve iu kërkuan edhe 50 mijë euro të tjera.

“Ndërkaq për të vazhduar me tutje me ndihmën rreth procedurës i kanë kërkuar edhe 50 mijë euro të tjera, e pas kësaj të dëmtuarit duke vërejtur dyshime në lëvizjen e të pandehurve shumicën e kontakteve i incizojnë dhe rastin e paraqesin në polici”, thuhet në aktvendimin për caktimin e paraburgimit për Rrahim Hashimin.

Avokati i të dyshuarit, Hashimi, Nikë Shala për KALLXO.com i mohoi pretendimet e prokurorisë duke thënë se i mbrojturi i tij është i pafajshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat