Policia po heton të dyshuarit që kërcënuan me hedhje në erë gazetën "Bota sot"

Lajme

Policia po heton të dyshuarit që kërcënuan me hedhje në erë gazetën "Bota sot"

Nga: Bota sot Më: 22 maj 2017 Në ora: 12:12
Llogo e gazetës "Bota sot"

Gazeta “Bota sot” është kërcënuar me hedhje në erë në orët e vona të natës ndërmjet të shtunës dhe të dielës.

Gazeta është kërcënuar për shkak të publikimit të lajmit me titullin “O Ramush familja Osaj po e pret rrëfimin tënd për Rexhën e vrarë!”, shkrim ky të cilin “Bota sot” e ka marr nga mediat tjera (nuk është shkrim autorial).

Policia e Kosovës, dje ka hetuar rastin duke qëndruar për afër tre orë në redaksinë e gazetës në Prishtinë.

Ndërsa, sot ajo përmes raportit 24-orësh, ka njoftuar se ka identifikuar të dyshuarin që ka kërcënuar përmes telefonit, të dyshuarin që ka kanosur gazetën përmes Facebook-ut është duke e hetuar.

“Policia raporton se në rrugën “Tringë Smajli” dhe është raportuar për një rast kanosje, e cila ka ndodhur përmes faqes së Facebook-ut dhe përmes telefonit”, thuhet në raportin e PK-së.

Policia bën të ditur se ka identifikuar personin e dyshimtë që dyshohet se ka kryer kanosjen përmes telefonit, dhe në konsultim me prokurorin kujdestar i njëjti është liruar, ndërsa i dyshuari që ka kryer kanosje përmes Facebook-u, sipas Policisë, është duke u hetuar.

“Rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë PK-ja./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat