Veseli: Hoqa dorë nga karriga e kryeministrit por jo nga platforma ekonomike

Lajme

Veseli: Hoqa dorë nga karriga e kryeministrit por jo nga platforma ekonomike

Më: 22 maj 2017 Në ora: 18:30
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot pasdite takoi përfaqësuesit e bizneseve në fabrikën e mobileve “Bini” në Vushtrri, ku ka thënë se bashkimi i koalicionit do të jetë mjaft i suksesshëm, kurse, liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.

Sipas tij, pas 11 qershorit me fitoren madhështore të PDK do të implementohet platforma "Fillimi i Ri".

Veseli ka thënë se shqetësimi i tyre është për krijimin e vendeve të reja të punës dhe integrimi në strukturat euro atlantike.

“Fillimi i Ri është i synuar kryesisht për ekonomi. Bizneset duhet të stimulohen dhe mbështeten ngase Binni dhe ndërmarrjet tjera për përpunimin e drurit janë të rëndësishme për vendin. Edhe fabrika për përpunimin e patateve këtu në Vushtrri janë mjaft të rëndësishme. Sektori i bujqësisë duhet të jetë intensiv jo ajo tradicionale", tha Veseli.

Ai shtoi se ka hequr dorë nga karriga kryeministrit, por jo edhe nga platforma ekonomike dhe e zhvillimit.

“Rritja ekonomike duhet të jetë minimum 8 përqind për të ardhur në krahasim me vendet e zhvilluara”, tha Veseli.

Lekë Musa, këshilltar ekonomik i kryetarit Veselit, tha se Qeveria e ardhshme do të përkrah bizneset në të bërit biznes gjatë rrugëtimit të tyre.

“Për qasje në kapital ne do të mundësojmë krijimin e fondit dhe mundësi financimi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme sepse këto janë çelësi i krijimit të vendeve të reja të punës. Kapitali njerëzor është pasuria më e madhe që ka Kosova, ne kemi menduar për aftësimin e këtyre punëtorëve që i duhen mjaft sektorit të biznesit, ne duhet të punojmë për eliminimin e burokracisë në administrate. Përmenda edhe projektin për një gjykatë ekonomike për trajtimin e lëndëve të bizneseve", theksoi Musa.

Ish-deputeti i PDK, Besim Beqaj tha se “Fillimi i Ri” ka për synim që të krijohet platforma për rritje ekonomike. Edhe Beqaj përmendi reformën e gjykatës ekonomike. Ai tha se do të ketë edhe reforma fiskale me ardhjen e qeverisë së re.

“Fokusi i Fillimit të Ri është përkrahja e prodhimtarisë vendore. Sektori i bujqësisë ka nevojë për infrastrukturës për ujitje dhe mbrojte nga fatkeqësia natyrore. Nxitja e zhvillimit do të jetë edhe në edukim të të rinjve”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat