Ramiz Kelmendi nuk i përmend mbesat si trashëgimtare të pasurisë

Lajme

Ramiz Kelmendi nuk i përmend mbesat si trashëgimtare të pasurisë

Më: 23 maj 2017 Në ora: 17:16
Ramiza Kelmendi

Zëvendëskryeministri në detyrë Ramiz Kelmendi në një video promocionale askund nuk përmend mbesat e tij si trashëgimtare të pasurisë.

Vendimet e qeverisë së  Isa Mustafës  të cilat garantojnë  dhe i favorizojnë gratë në çështje të pronës duket se nuk i kanë lënë shumë  përshtypje zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi.

Në dy minuta video promocionale Kelmendi nuk i përmend  asnjëherë mbesat e tij si trashëgimtare të pasurisë së tij. Ai ka deklaruar një pasuri milionëshe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“… pra ju nipër të dashur jeni e ardhmja dhe trashëgimia e Grupit Elkos”, porosit nipërit  zëvendëskryeministri në detyrë, Ramiz Kelmendi. Por, pjesë e kësaj videoje janë edhe mbesat.

Në videon e publikuar në faqen zyrtare të zëvendëskryeministrit në detyrë, Ramiz Kelmendi që nis me porosinë “Familja është Themeli i Shtetit”, ku shihen nipërit dhe mbesat e tij, ai përveç që kur përmend trashëgiminë u referohet vetëm nipërve, asnjëherë gjatë videos nuk përmend mbesat.

Në videon  prej 2 minutash e 40 sekondash, Kelmendi në asnjë moment nuk i përmend mbesat, edhe pse ato janë pjesë e videos. Ai përmend katër herë fjalën “nipërit”, e kur flet për trashëgiminë, shefi i kompanisë “Elkos”, u referohet vetëm djemve.

“Pa familje të shëndetshme, nuk mund të kemi shtet dhe shoqëri të shëndetshme. Familja, rinia jonë dhe nipërit tanë janë e ardhmja e Republikës së Kosovës”, lexon Kelmendi në këtë video.

Ai nis rrëfimin e tij me fjalën: “të dashur nipa.. dhe gjyshi ka arrit të krijojë një ekonomi të qëndrueshme për veti, për të punësuarit dhe për ju nipër të dashur”.

“.. pra ju nipa të dashur jeni e ardhmja dhe trashëgimia e Grupit Elkos”, përfundon ai.

Ligji për trashëgiminë, në kreun dy, neni 11, thotë se “trashëgimtarë ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe pasardhësit e tyre, gjyshi e gjyshja dhe pasardhësit e tyre”.

Pra ky ligj trajton në mënyrë të barabartë të dy gjinitë.  Në po këtë ligj, kudo që përmenden vëllezërit, përmenden dhe motrat, si trashëgimtarë të barabartë.

Videon promocionale të  Kelmendit në të cilën nuk përmenden mbesat, mund ta ndiqni në vazhdim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat