Balena e blu çmenduri, profesionistët sugjerojnë kujdes më të madh ndaj fëmijëve

Lajme

Balena e blu çmenduri, profesionistët sugjerojnë kujdes më të madh ndaj fëmijëve

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 16:10
Ilustrim

Loja e kobshme ‘Balena e Kaltër’, që ka marrë vëmendjen, sidomos të adoleshentëve gjithandej botës, është shndërruar në shqetësim për qytetarët dhe autoritetet kompetente edhe në vendin tonë.

‘Balena Blu’ përbëhet prej 50 niveleve gjatë të cilave ka tortura të përgjakshme dhe shtyn lojtarët që në fund të bëjnë vetëvrasje, ndërsa administratorët e kësaj loje targetojnë kryesisht adoleshentë dhe fëmijë.

Të rinjtë mitrovicas lojën e quajnë çmenduri, ndërsa profesionistët sugjerojnë që prindërit të menaxhojnë më shumë me sjelljet dhe kohën e fëmijëve të tyre.

Ekrem Veseli nga Mitrovica, thotë se ka dëgjuar tashmë për këtë lojë, të cilën e quan çmenduri dhe sugjeron që mos ta luaj askush.

Veseli: Mendoj se është çmenduri

“Po kam dëgjuar për Balenën e Kaltër. Mendoj se është çmenduri dhe nuk kisha sugjeruar që këtë lojë ta luaj askush”, tha ai.

Edhe Muhamet Fazliu, një i ri tjetër poashtu nga Mitrovica, shprehet pothuajse njëjtë.

Fazliu: Atë lojë mos ta luajt askush

“Kisha preferu që atë lojë mos me luajt askush sepse kjo është çmenduri”, theksoi Fazliu.

Duke ndjerë rrezikun që ju kanoset të rinjëve, sociologu Hajrullah Mustafa, ka bërë të ditur se prindërit dhe të gjitha institucionet në vend duhet të angazhohen maksimalisht në eliminimin e kësaj dukurie.

Sipas tij, duhet të aplikohen më shumë forma edukative dhe arsimore tek fëmijët dhe të rinjtë në përgjithësi.

Mustafa: Dukuri fatale

“Realisht kjo është një dukuri fatale…Ju kisha preferuar posaçërisht prindërve që të kenë kujdes të menaxhojnë mirë sjelljet dhe kohën me çka e shfrytëzojnë fëmijët e tyre…Prandaj hapi parë është kujdesi i prindërve, kujdesi i të gjitha institucioneve që në vend se të merren me çështje tjera, të aplikojnë forma edukative, arsimore, në mënyrë që këtë kapital që e kemi të mos e humbim”, ka thënë Mustafa.

Avokati Musa Damati, ka potencuar se duhet të veprohet në bazë të ligjit, ku me urdhër të Gjykatës, policia do të bënte bllokimin kibernetik të qasjes në këtë lojë.“Me urdhër të ligjshëm të Gjykatës kompetente, Policia e Kosovës duhet të bëjë bllokim kibernetik të qasjes në këtë lojë virtuale…Duke marrë parasysh grup moshat e reja, gjendjen e tyre psiko-emocionale, ata lehtë mund të ndikohen nga kjo lojë. Andaj në këtë drejtim duhet të veprojmë në bazë të forcës së ligjit”, sqaroi Damati.

 

Në anën tjetër, Faton Kurteshi, ekspert i teknologjisë informative, ka thënë se në kohën kur interneti, rrjetet sociale dhe portalet janë shumë të vizituara, është dhënë mundësia që në mënyrë të shpejtë të shpërndahen fenomene të ndryshme, që padyshim në shumë raste janë negative.

Sipas tij, kjo lojë mund të bllokohet nga shkarkimi, mirëpo gjithmonë ekzistojnë kanalet alternative.

Ai ka apeluar tek prindërit që të jenë më të vëmendshëm, duke u bërë nganjëherë edhe pjesë e rrjetit social të fëmijëve të tyre, për të përcjellur aktivitetet e tyre nëpër internet.

Kurteshi: Mundet me u ndal shkarkimi por gjithmonë ekzistojnë kanalet alternative

“Fillimisht prej kanaleve zyrtare të shkarkimit të lojës dhe me kërkesë të autoriteteve të ndryshme, ofruesit e shkarkimit të lojërave sikur ‘apple store’ dhe ‘play store’, munden me largu prej shkarkimit, edhe operatorët e ndryshëm munden me bë bllokime dhe filtrime të ndryshme për mos me pas mundësi me u shkarku kjo lojë. Mirëpo, gjithmonë ekzistojnë edhe kanalet alternative siç janë në zhargonin e teknologjisë informative ‘peer to peer’, apo ndonjë kanal i kriptuar, ku prapë mundet me u has në këtë lojë. Kështu që kjo e vështirëson largimin komplet të lojës nga interneti… e vështirëson kontrollin total të shkarkimit të kësaj loje…Këshilla ime është që prindërit të jenë sado pak të vetëdijshëm për teknologjitë që përdoren dhe të jenë pjesë e rrjetit social të fëmijëve që të munden me përcjellë se çka fëmijët postojnë dhe çka lundrojnë nëpër internet”, ka thënë Kurteshi.

Ndryshe, ‘Balena Blu’, e cila përbëhet prej 50 niveleve gjatë të cilave ka tortura të përgjakshme dhe cyt lojtarët që në fund të bëjnë vetëvrasje, është krijuar si lojë në vitin 2013, por tani është riaktualizuar nga disa të rinj në Rusi, ku dyshohet se deri tani ka 130 raste të vetëvrasjeve. Në Kosovë ka mbërritur si lojë, dhe supozohet se janë përhapur pak raste. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat