Festa e Bajramit të dielën, BIK uron besimtarët myslimanë

Lajme

Festa e Bajramit të dielën, BIK uron besimtarët myslimanë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 12:20
BIK

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e  shtunë, më 24 qershor 2017, ndërsa festa e Bajramit shënohet të dielën.

Me këtë rast, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Fitër- Bajramit, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin dhe lutjet.

“Dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të dielën, më 25 qershor 2017. Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë”, bëhet e ditur në njoftim.

Manifestimi fillon në ora 04:15, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Ekrem ef. Maqedonci.

Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 05:37 minuta të cilit do t’i prijë, Sabri ef. Bajgora-kryeimami i BIK-ut.

Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës,  Naim ef. Tërnava, i cili do t’u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë.

Po ashtu, bëhet e ditur se me rastin e Fitër – Bajramit, ditën e parë të festës, më 25 qershor 2017, myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, si tradicionalisht, organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë së BIK-ut nga ora 9:00-12:00. “Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Fitër- Bajramit, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat