Kryetarja e Gjykatës Speciale: Pas 7 ditësh mund të ngrihen aktakuzat

Lajme

Kryetarja e Gjykatës Speciale: Pas 7 ditësh mund të ngrihen aktakuzat

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 15:51
Ekaterina Trendafilova

Pas shqiptimit të aktvendimit të dytë të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, ka thënë se me hyrjen në fuqi të rregullores nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas saj, vendimi i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese garanton se Rregullorja përfshin standardet më të larta të të drejtave të njeriut por në të njëjtën kohë i mundësohet Dhomave të Specializuara një sistem të fortë për mbrojtjen e individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procedura para Dhomave të Specializuara

Ja deklarata e plotë e Trendafilovës:

 “Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ky vendim është i rëndësishëm për institucionin tonë në shumë aspekte.

Së pari, vendimi i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese garanton se Rregullorja përfshin standardet më të larta të të drejtave të njeriut. Së dyti, me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara mundësojnë një sistem të fortë për mbrojtjen e individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procedura para Dhomave të Specializuara. Së treti, me hyrjen në fuqi të Rregullores, pas shtatë ditësh nga dita e sotme nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës për angazhimin dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm që treguan gjatë muajve të fundit në hartimin dhe ndryshimin e dokumenteve normative kyçe për institucionin tonë. Gjithashtu u shpreh mirënjohjen time më të sinqertë gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në shqyrtimin fjalë për fjalë të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, për të garantuar kushtetutshmërinë e saj.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat