Dëshmitari: Basri Muja tha unë jam shteti

Lajme

Dëshmitari: Basri Muja tha unë jam shteti

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 14:44
Gjykimi i ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit

Sadat Berisha, bashkëpronari i Kolegjit Universum tregoi si i kërkuan ryshfet ish-zyrtarët e Agjencisë së Akreditimit.

Sadat Berisha bashkëpronar në Kolegjin “Universum” dëshmoi në gjykimin e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Berisha tha në gjykatë se ryshfeti atij, vëlait dhe djalit të vëllait iu kërkua nga i akuzuari Armend Muja edhe për Basri Mujën e Ferdije Zhushin.

“Basri Muja e Ferdije Zhushi përmes Armend Mujës kanë kërkuar ryshfet për akreditimin e programeve, fillimisht ky muhabet është hapur përmes Alejdinit, djalit të vëllait, e mandej kanë pasur disa takime me vëllanë, në takimin e fundit kam qenë edhe unë” , tha Sadat Berisha.

Berisha më tutje tregoi se asnjëherë nuk u ka dhënë ryshfet Basri Mujës e Ferdije Zhushit për akreditim programesh, ndërsa kujtoi një rast kur sipas tij Armend Muja e zbriti çmimin e parave që kërkonte nga 20 mijë në 15 mijë euro.

“Ka qenë fillimi i vitit 2010, kam qenë prezent kur Armendi drejtpërdrejt mua nuk më ka thënë nga 20 mijë në 15 mijë euro që ka zbritur dhe atë  5 mijë për Basriun, 5 mijë për Ferdijen dhe 5 mijë për Armendin. Unë u jam bashkangjitur gati në fund të takimit dhe pas bisedës Armendi është ngritur dhe larguar me fjalët se do të ja shihni sherrin për mosakreditim të programeve”, vijoi dëshminë Berisha.

Sadat Berisha tha se në kohën kur u kërkohej ryshfeti, kolegjit “Universum” i ishte akredituar vetëm një program.

Dëshmitari tregoi edhe një rast interesant. Deklaroi se djalit të vëllait të tij Basri Muja i kishte thënë se unë jam shteti.

“Alejdini është kërcënuar nga Basri Muja me fjalët, unë jam shteti, unë ta msheli kolegjin krejt.Fjalë që nga viti 2011 mi ka përsëritur me dhjetëra herë, kur dua ta msheli, kur dua ta çeli. Tregoj vëllait tuaj Suadit se ai po thirret në ligj, unë jam shteti, unë jam krejt”, tha Berisha.

Ai deklaroi se Ferdije Zhushi e Basri Muja nuk kanë kërkuar asnjëherë direkt ryshfet.

“Më duhet të jem i sinqertë, Ferdija dhe Basriu nuk kanë kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejt ryshfet as nga unë e as nga vëllai, por në mënyrë indirekte përmes Armendit është kërkuar në vazhdimësi deri në datën e arrestimit”, tha Sadat Berisha.

Berisha në fund tha se është dëmtuar moralisht dhe materialisht, ndërsa bëri të ditur se për vlerën e dëmit do të deklarohet nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor deri në fund të procesit gjyqësor, raporton kallxo.com.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, ndërsa Naim Brahës, i cili akuzohej për veprën penale të dhënies se ryshfetit, i është parashkruar lënda .

Në kohën për të cilën akuzohet, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 27 korrik kur pritet të dëshmojnë Aledin Berisha, Veton Sahiti, Fortuna Mehmeti dhe Majlinda Muja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat