Mustafa: Kjo është shuma miliardëshe e dëmeve të luftës që e ka shkaktuar Serbia

Lajme

Mustafa: Kjo është shuma miliardëshe e dëmeve të luftës që e ka shkaktuar Serbia

Më: 16 korrik 2017 Në ora: 19:41
Ilustrim

Muhamet Mustafa thotë se pagesa e borxheve nga Serbia është propagandë e këtij shteti.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa,  ka treguar për diskutimet që janë bërë në rrafshin ekonomik në bisedimet teknike të Vjenës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëndrimi i jonë në negociatat e Vjenës ka qenë se Kosova natyrisht që i pranon borxhet të cilat Kosova i ka marrë deri në okupimin e Kosovës, deri në zhbërjen e autonomisë në vitin 1990. Kosova nuk i pranon as borxhet, as obligimet për borxhe prej 1990 deri në qershor të vitit 1999, kur është çliruar Kosova”, tha Mustafa.

Profesori Muhamet Mustafa që në negociatat e Vjenës ka udhëhequr ekipin e ekspertëve të ekonomisë, thotë se Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen e Ahtisarit.

“Serbia ka refuzu ta nënshkruajë këtë pjesë të marrëveshjes së Ahtisarit, për arsye se përpos borxheve ne kemi kërkuar që marrëveshja mbi llogaritë ekonomike t’i përfshijë edhe dëmet që i ka kriju Serbia në Kosovë. Dëmet e përgjithshme të llogaritura nga komisioni që unë e kam udhëhequr kanë mbërri mbi 20 miliardë dollarë”, tha  Mustafa per Kallxo.

Ai tregon se çfarë është përfshirë në faturën prej 20 miliardë dollarëve që Kosova i ka kërkuar nga Serbia.

“Dëmet e Serbinë ndaj pronës në Kosovë, dëmet e luftës, përjashtimi i njerëzve nga puna, humbja e kursimeve, humbja e pensioneve, plaçkitjet në luftë, dëmet në sistemin buxhetor etj, të gjitha këto i kanë ba një faturë Serbisë, me argumente me anekse të përpunuara, ju kanë prezantu ekipit të Ahtisarit dhe kemi kërku që për një rregullim komplet të marrëdhënieve të Kosovës me Serbisë duhet të pastruar të gjitha llogaritë”, tha Mustafa.

Sipas tij, gjatë kohës sa janë zhvilluar bisedimet në Vjenë, borxhi i jashtëm i Kosovës është konsideruar rreth 700 milion euro, por sipas tij kjo shifër ka mundur të rritet për shkak të interesit.

“Çdo gjë që ka vendosur Kuvendi i Kosovës dhe ka ratifikuar Kuvendi i Jugosllavisë dhe jo i Serbisë, delegacioni i Kosovës e ka pranuar në Vjenë dhe ka qenë i gatshëm me pranu, por delegacioni i Serbisë për një blof politik, për qëndrime politike nuk e ka nënshkru marrëveshjen e Ahtisarit”, tha në mes tjerash Mustafa.

Mustafa ka qenë deputet i legjislaturës së kaluar, e aktualisht është pjesë e Institutit Riinvest.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat