Pse vret deti?!

Lajme

Pse vret deti?!

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 23:49
ilustrim

Prej shumë ditësh nga bregdeti shqiptar po vijnë bilance lufte për jetët e humbura si në Jon ashtu edhe Adriatik. Shkaktarët zyrtarë janë të shumtë, nga notuesit e pakujdesshëm me rrymat e detit deri te prania e pushuesve në plazhet të cilat nuk kontrollohen nga shteti; nga ana tjetër janë familjarët që vazhdimisht fajsojnë duke qenë të bindur se me prezencën e rojeve bregdetare, të dashurit e tyre nuk do ti kishte vrarë deti.

Argumentet për tetë rastet zyrtare të personave të mbytur në det brenda dy javësh, janë të ndryshëm, por ajo që ndodhi në Vlorë ku humbën jetën 4 persona brenda një dite, një në plazhin publik të Vlorës dhe tre në Zvërnec, japin përgjigjen mbi shkakun dhe zgjidhjen e problemit: “PSE VRET DETI”?!

Tragjedia e Zvërnecit do të ngjallë shumë shpirtra që e duan dhe nuk e duan  Edi Ramën, që i njohin dhe nuk i njohin rrymat e detit dhe në fund fare qëndron fakti, pavarësisht nëse duan ose nuk duan, Deti i vret!

Pasi deti mori jetën e Manuelës 27 vjeçare nga Babica e Madhe dhe Xhoanës 25 vjeçe nga Tirana, familjarët akuzuan shtetin për mungesën e rojeve të plazhit, dhe nëse do të ishin tragjedia nuk do të ndodhte dhe tetovari 24 vjeçar, Benjamin Ferati që tentoi të shpëtoi Manuelën sot do të ishte gjallë. I akuzuari shtet, fajin e gjeti te pushuesit e mbytur që lahen vend e pavend, edhe atje ku plazhi nuk quhet publik ose privat. Por ja që edhe në plazhin publik deti vret, dhe vetëm pak metra larg nga plazhi i Portonovës! Tek Shkolla e Marinës në Vlorë, aty ku nuk ka rryma deti dhe plazhi nuk është i panjohur për shtetin, deti merr jetën e një 14 vjeçari.

Mungesa e rojes bregdetare në këtë rast tragjik do të konsiderohet si shkaktar serioz që i lejon detit të marrë jetën e pushuesve! Më nuk do të flitet për plazhe publike, private ose plazhe të panjohura, për plazhet që nuk njohin rrymat e detit dhe pakujdesinë e tyre kur janë apo jo temperaturat e larta; Jo, por ku janë këto roje bregdetare?! Ata dhjetëra që u trajnuan nga shteti dhe sot përfundojnë në pishina dhe plazhe private?

Por a mjaftojnë vetëm rojet bregdetare! Sigurisht që jo nëse pakujdesia  e pushuesëve do të qëndroj në vendnumëro dhe do të presim vetëm ndihmën e shtetit. Madje dhe atëherë  kur nuk u mjaftojnë  rregullat për mjetet lundruese të vendosura nga shteti. Kalohet vija e kuqe e argëtimit  dhe ndodh tragjedia sikur se sot në Sarandë dhe pushuesit mjaftohen me faktin se ishte AKSIDENT!      

Nuk dihet edhe sa duhet të vras deti, për të sjellë reagimin e institucioneve për masat mbrojtëse, por sot një gjë është e sigurt, kjo situatë në plazhet shqiptare do të jetë e rëndë meqë lejuam rojet bregdetar, që i aftësoi vetë shteti, të përfundojnë në pishinat dhe plazhet e botës, ashtu siç u rëndua në miniera meqë lejuam gjeologët më të mirë të ikin jashtë vendit dhe siç është në mjekësi meqë lejuam mjekët më të mirë të përfundojnë në klinikat më të mira botërore!   

Nëse nuk fillojnë të mendojmë ndryshe, sikur pushuesit  ashtu edhe institucionet nuk kemi pse pyesim: Pse po na vret Deti?!/oranews

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat