Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë presion mbi autoritete zyrtare në Kosovë për të formuar Asociacionin e Komunave serbe.
Kështu po pretendon lideri i iniciativës qytetare SDP, Oliver Ivanoviq i cili komentoi takimin e kryeministres serbe, Ana Brnabiq me nënpresidentin e Amerikës, Michael Pence.
Ivanoviq theksoi se Pence mund të ketë ndikim të drejpërdrejt që Amerika të ndryshojë mendimin për shqiptarët e Kosovës, duke shtuar se ata mund të bëjnë presion për formimin e Asociacionit.
“Në rast se në Kosovë ka qeveri të paqëndrueshme, dhe të dobët formimi i Asociacionit mund të jetë i diskutueshëm. Kjo është ajo që e kam thënë tri vite më parë dhe po e përsëris, se shqiptarët nuk do ta formojnë Asociacionin dhe pikë”, tha Ivanoviq.
Ivanoviq për këtë i dha dy arsye: e para është se në Kosovë nuk po e dëshirojnë faktorizimin e serbëve, dhe e dyta është se opozita në Kosovë shumë e organizuar.
“Opozita e Kosovës është shumë e organizuar dhe ndodhë që edhe e kanë sulmuar Qeverinë. Prandaj qeveria e Kosovës gjendet vazhdimisht në një pozicion për tu mbrojtur nga opozita. Prandaj formimi i asociacionit nuk do të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë”, tha ai.
Ai theksoi edhe rëndësinë e formimit të një qeverie stabile në Kosovë e cila do të ishte e gatshme të merrte vendime.
“Çështja është nëse do të formohet qeveria e Kosovës në përgjethsi. Dhe e dyta është se sa do të ketë ajo ndikim. Thaçi ka arsye për ta prezantuar veten si faktor stabiliteti, por deklaratat e tij nuk thonë asgjë”, përfundoi Oliver Ivanoviq.