Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, ndërmjet datave 4 dhe 7 gusht në rajonin e Prizrenit ka ndaluar 19 persona të dyshuar për posedim/trafikim të narkotikëve, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
I njëjti nuk ka dhënë emrat as inicialet e të ndaluarve.
Mirëpo, KALLXO.com ka marrë vesh se në mesin e të ndaluarve është edhe Mentor Shuki, autor i emisionit televiziv “Me SHUKIN”.
I pyetur nga KALLXO.com, prokurori i rastit, Genc Nixha, ka thënë se në mesin e të ndaluarve me gjasë është edhe një person me emrin Mentor Shuki.
“E kam një në ndalim. Mentor Shuki më duket. Po, në pyetje janë lëndët narkotike. Nesër vendoset çfarë vendoset. Të shohim. Nuk e dimë a do të shkojmë me paraburgim apo jo, por nesër vendoset pasi i kemi ato 48 orët edhe vendosim në kuadër të asaj”, tha Nixha për KALLXO.com.
E në raportin e saj ditor, Policia ka njoftuar se në Prizren më 6 gusht ndërmjet orës 1:30 dhe 2:50, janë arrestuar katër persona, te të cilët është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Për shkak se Mentor Shuki bashkëpunon me “Gazetën Express”, KALLXO.com ka kontaktuar me kryeredaktorin e këtij mediumi, Leonard Kërqukin.
Meqë ishte në pushime, Kërquki tha se nuk është në dijeni për arrestimin e autorit të emisionit “Me SHUKIN”.
Po ashtu, ai theksoi se emisioni i tij nuk është prodhim i “Gazetës Express”.
“Thjesht ai e ka ba emisionin të cilin ne ia kemi ble”, tha Kërquki.