Daçiq: Ndarja e Kosovës është vetëm një prej ideve

Lajme

Daçiq: Ndarja e Kosovës është vetëm një prej ideve

Më: 13 gusht 2017 Në ora: 15:15
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq,

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se është herët të flitet për ndarjen e Kosovës pasi që këtë e ka thënë ai “vetëm si një prej ideve”.

“Tek ne ka më shumë të atillë që mendojnë se Kosova është humbur dhe se dialogu i brendshëm po bëhet për të pranuar Kosovën. Ky nuk është qëllimi i dialogut”, ka thënë Daçiq para gazetarëve ku po shënohej 14 vjetori i vrasjes së fëmijëve serbë në Gorazhdevc.

Ai ka shtuar se qeveria e tanishme, e as presidenti i Serbisë, nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Daçiq ka thënë po ashtu se nuk ka as kufi mes Serbisë e Kosovës dhe ka pyetur se “kur është njohur ajo [Kosova] ndërkombëtarisht”, raporton media serbe.

Duke folur për gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Kosovë, Daçiq ka thënë se pret të nisin procedurat, por ka theksuar gjithashtu se ajo gjykatë “definitivisht nuk do të veprojë në përputhje me dëshirat dhe pritjet tona”.

Sipas tij, për viktimat serb, Tribunali i Hagës pothuajse nuk e ka dënuar askënd, ndërsa ka shtuar se pret që para gjykatës së re të ketë “më shumë drejtësi për viktimat serbe”.

“Nëse do të funksiononte në bazë të parimeve të drejtësisë, jam i sigurt që shumë prej politikanëve aktualë të Kosovës do të përfundonin para saj”, ka konstatuar Daçiq.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë po ashtu se Kosova nuk do të pranohet as në UNESCO dhe se për këtë “mund të garantoj që nuk do të ndodhë”.

“U duhen vota, e ato nuk i kanë”, ka thënë Daçiq dhe ka shtuar se Serbia i ka dërguar përfaqësuesit e saj në 27 shtete që të lobojnë kundër pranimit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat