Gjykimi për grabitjen e 12,000 Eurove nga çanta e një gruaje

Lajme

Gjykimi për grabitjen e 12,000 Eurove nga çanta e një gruaje

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 21:44
Pamje nga video

Prokurorja kërkoi dënimin e tre personave që grabitën me forcë para, stoli ari dhe një iphone 6 nga një grua.

Fjala përfundimtare është dhënë në gjykimin e tre personave për grabitjen e 12 mijë eurove në Gjakovë.

Grabitja kishte ndodhur më 2 tetor të vitit të kaluar, ndërsa sipas aktakuzës Vlora Zekës te hyrja e banesës së saj nga çanta e krahut i ishin marrë me forcë 12 mijë euro, stoli ari në vlerën e 1100 eurove dhe një iphone 6.

Gjatë gjykimit prokurorja Shpresa Bakija kërkoi dënimin e të akuzuarve.

“Nuk është kontestuese se ata janë takuar atë natë në kafe te hoxhët, kanë pirë kafe dhe kanë realizuar planin e tyre, andaj i propozoj gjykatës që të akuzuarit Mentor Dedaj, Manol Dedaj dhe Nikollë Prenkaj të shpallen fajtorë për veprën penale të grabitjes”, tha prokurorja Shpresa Bakija.

Por Agim Muhaxhiri, avokati i Mentor Dedës tha se nuk është vërtetuar që i mbrojturi i tij ka kryer grabitjen.

“Nga e gjithë kjo procedurë maratone me asnjë provë nuk u argumentu, aktakuza është e mangët, së pari nuk e përshkrun kohën… Nga incizimet e kamerave nuk u dëshmua se i akuzuari Mentor është pjesëmarrës në këtë vepër penale grabitqare”, tha avokati Muhaxhiri.

Kundër aktakuzës foli edhe Flamur Kelmendi, avokati i Manol Dedës.

“…edhe arsyetimi i dhënë në aktakuzë është i paargumetuar me prova relevante dhe fare nuk janë bërë analizat e provave me të cilën e mbështet aktakuzën”, deklaroi  avokati Kelmendi.

Mangësi në aktakuzë gjeti edhe avokati Driton Dobruna që në këtë proces mbron Nikollë Prenkajn.

“…konsiderojmë që është momenti vendimtar që kjo gjykatë dhe ky trup gjykues t’i përmirësojë gabimet e shumta dhe atë të veprimeve hetimore që nga policia deri tek organi i akuzës, e cila ka përpiluar një akuzë të pabazuar, në kundërthënie dhe në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike që u tregua përgjatë këtij shqyrtimi gjyqësor,” deklaroi avokati Dobruna.

Gjykata Themelore në Gjakovë nesër do të shpallë vendimin për këtë gjykim./kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat