Arta Rama-Hajrizi marrin pjesë në Kongresin e 4-të të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese

Lajme

Arta Rama-Hajrizi marrin pjesë në Kongresin e 4-të të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 16:21
Vizita në Vilinus

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Lituanisë dhe të Komisionit të Venecias, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, zëvendëskryetari i Gjykatës, z. Ivan Çukaloviq, dhe gjyqtarja, znj. Gresa Caka-Nimani, qëndruan në kryeqytetin lituanez Vilnius, më 11-14 shtator 2017.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës qëndroi në Vilnius me ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e 4-të të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese, i cili këtë vit mblodhi kryetarë e gjyqtarë të gjykatave kushtetuese dhe të gjykatave supreme nga 90 shtete të botës.

Kongresi i 4-të u organizua në temën: “Sundimi i ligjit dhe drejtësia kushtetuese në botën moderne”, me ç’rast pjesëmarrësit patën mundësinë që të diskutojnë dhe të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre profesionale rreth sfidave me të cilat vazhdon të përballet sundimi i ligjit dhe drejtësia kushtetuese në vendet e tyre të origjinës.    

Gjatë qëndrimit në Vilnius, kryetarja Rama-Hajrizi zhvilloi takime të ndara edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë, z. Dainius Zalimas, si dhe me kryetarin e Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është anëtarësuar në Konferencën Botërore të Drejtësisë Kushtetuese, më 17 shtator 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat