Moska demanton: Putini nuk e mbështeti koalicionin e Listës Serbe me Haradinajn

Lajme

Moska demanton: Putini nuk e mbështeti koalicionin e Listës Serbe me Haradinajn

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 13:49
Takimi i Listës serbe në Moskë

Disa zyrtarë rusë i kanë demantuar lajmet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka mbështetur Listën Serbe për të hyrë në koalicion me Haradinajn.

Kryetari i Komitetit për Mardhënie Ndërkombëtare të Rusisë, Konstantin Petrichenko ka thënë se kjo është një gënjeshtër flagrante, pasi sipas tij Putin nuk e ka përkrahur koalicionin e serbëve me “politikanët e akuzuar për krime”, shkruan media serbe.

“Rusia e bashkuar dhe presidenti Vladimir Putin nuk e ka përmendur Listën Serbe dhe bashkëpunimin me përfaqësuesit e institucioneve të paligjshme në Kosovë, të kryesuar nga personat që janë të akuzuar për krime të tmerrshme”, ka thënë Petrichenko.

Sipas Petrichenkos, tema e diskutimit në takimin e Listës Serbe në Rusi ishte mbështetja e deklaratave të cilat formojnë një hapsirë unike kulturore për serbët, për të cilën Beogradi e ka mbështetjen e Moskës.

Lajmet për përkrahjen ndaj Listës Serbe për hyrje në qeverinë Haradinaj i ka mohuar edhe sekretari i Këshillit të Përgjithshëm në Rusi, Sergei Neverov, i cili tha se nuk ka pasur diskutime për bashkëpunimin e serbëve me institucionet e Kosovës.

“Këto janë deklarata të turpshme dhe të pasakta, që kinse Rusia dhe Putini e kanë mbështetur Listën Serbe për hyrjen në institucione dhe përmirësimin e pozitës së popullit serb në Kosovë”, tha Neverov.

Ai e quajti Ramush Haradinajn “terrorist”, duke shtuar se Putin nuk e mbështeti një bashkëpunim me ata që janë në kërkim të Interpolit.

“Ne përkrahim natyrshëm dialogun me popullin serb në Kosovë, por jo bashkëpunimin me terroristët në urdhrin e Interpolit. Nuk e dimë pse gazetarët publikuan vetëm disa pjesë të deklaratave tona. Mbështetja verbale erdhi vetëm për kryetarin Vuçiq”, deklaroi Neverov.

Pas udhëtimit të Listës Serbe në Rusi, u raportuar se Putini e kishte përkrahur Listën Serbe për hyrjen në koalicion me koalicionin PAN dhe AKR.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat