"Kosova vetëm po dështon në bisedimet me Serbinë"

Lajme

"Kosova vetëm po dështon në bisedimet me Serbinë"

Nga: H.O. Më: 17 shtator 2017 Në ora: 23:10
Pamje arkiv

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që të krijohet një bazë e gjerë përfaqësuese e spektrit politik dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe opinion-bërësve për bisedimet me Serbinë.

Por kjo kërkesë e tij është vënë në pikëpyetje nga partitë opozitare.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk duhet zhvilluar takime me Serbinë, përderisa Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e krijon një komision për të shqyrtuar se si është bërë dialogu deri më tani. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka shqyrtuar nëse do të jetë pjesë e këtij grupi të thirrur nga Presidenti Thaçi.

Por a duhet të vazhdojnë këto bisedime në të njëjtin ritëm sikurse deri më tani, apo duhet bërë ndryshime në takimet e radhës?

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti duke folur rreth bisedimeve që Kosova zhvillon me Serbinë thotë se Kosova ato i ka nisur mbrapshtë, dhe se duhej përgatitur më shumë.

Image
Faton Mehmeti

“Bisedimet me Serbinë kanë filluar mbrapsht nga ana e Kosovës. Duke ditur specifikat që kanë bisedimet me Serbinë është dashur që Kosova të pergaditet më mirë dhe më shumë për këto bisedime, mandej mungesa e  e gjithëpërfshirjes e ka stagnuar suksesin e mundshëm. Është dashur që në këto bisedime të përfshihet i gjithë spektri politik, shoqëria civile dhe të gjithë të harmonizojnë një plan konkret se çfarë synohet të arrihet në bisedime”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur, sepse politikanët kanë dashur që të centralizojnë vëmendjen e bisedimeve tek ata, që shpreh një mungesë formimi intelektual dhe politik.

“Kjo natyrisht i ka kushtuar Kosovës, e cila nuk arriti të bëj hapa konkret të cilat do të mund të rezultonin me disa rezultate. Në këtë sens është e nevojshme që pala shqiptare e Kosovës të hap debat të brendshëm politik dhe qytetarë për të parë se ku kemi arritur me këto bisedime dhe çfarë ka ngecur e çfarë duhet bërë. Besoj se reformimi i negociatave nënkupton gjithëpërfshirje të palës sonë, hartimi i pikave të kuqe ku nuk shkohet më tutje që nënkupton mos cënim të sovranitetit dhe elementeve të tjera që do të cënon ecjen e vendit drejt BE. Kështu më nuk shkohet, pasi nga bisedimet po përfiton vetëm Serbia, derisa Kosova po ngec në vend pa arritur asnjë objektiv e rrjedhimisht edhe dështime”, vlerëson analisti Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat