Ekspertja në rastin ‘Medicus’: Dy pacientëve u mungon veshka

Lajme

Ekspertja në rastin ‘Medicus’: Dy pacientëve u mungon veshka

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 14:13
Spitali Medicus

Mjekja ligjore Carmen Barbu tha në gjykimin e Lutfi Dervishit se dy dëshmitarëve të mbrojtur të këtij procesi u ishte hequr veshka.

Carmen Barbu, mjekja ligjore që u ftua të dëshmojë për dy raportet e saja rreth dy dëshmitarëve të mbrojtur të rastit “Medicus” tha se atyre u mungonin veshkat e majta.

“Nga fotografimi i CT-së është konstatuar mungesa e veshkës së majtë, ku po ashtu është konstatuar se veshka është hequr në mënyrë kirurgjikale”, tha Barbu.

Ajo më tutje konstatoi se nga aspekti mjekësor nuk kishte arsye t’u hiqej veshka këtyre pacientëve.

“Nuk ka pasur ndonjë patologji apo traumë të rëndë në të kaluarën e pacientëve që do të arsyetonte nga këndvështrimi mjekësor heqjen e veshkës për shkak të ndonjë gjendjeje patologjike”, tha Barbu.

Ekspertja u pyet pastaj nga prokurorja Valeria Bolici se cila veshkë hiqet zakonisht kur dikush e dhuron atë për ndonjë person tjetër.

“Në rast të transplantimit të veshkës në qoftë se ka një dhurues të veshkës zakonisht merret veshka e majtë pasi që vena është më e gjatë dhe është më e lehtë që të riparohet”, konstatoi Barbu.

Mjekja ligjore që njërin raport për pacientët e bëri në vitin 2011, konstatoi në të se në bazë të plagëve/shenjave që i ka hasur atëherë, ato mund të ishin më të vjetra se gjashtë muaj.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5. Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim. Dje në këtë proces gjyqësor dëshmoi teknikja në Klinikën Medicus Shpresa Makolli./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat