Vdekjet e dyshimta në QKUK, ky është veprimi i fundit i Prokurorisë

Lajme

Vdekjet e dyshimta në QKUK, ky është veprimi i fundit i Prokurorisë

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 23:44
ilustrim

Prokuroria Themelore është duke i vazhduar hetimet lidhur me vdekjet e dyshimta në QKUK, të cilat ndodhën ditë më parë. Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Ekrem Lutfiu, ka thënë se njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit së bashku me inspektorët për produkte medicinale kanë bërë kontroll te kompania “Bubeari Komerc”, të pronarit N.G., i cili dyshohet se ka prodhuar gazin medicinal Oksidul N20 pa licencë adekuate si dhe kanë konfiskuar një bombole me Oksigjen.

Sa i përket numrit të rasteve të dyshuara, prokuroria ka thënë se janë në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të vdekurit, vdekja e të cilëve është cilësuar si e dyshimtë.

Në anën tjetër drejtori i shërbimit Spitalor Curr Gjocaj thotë se nuk mban përgjegjësi për vdekjet e ndodhura nëpër klinikat e QKUK-së, ku dyshohet që u përdor gazi medicinal oksidul. Ai mohon që mund të ketë numër më të madh të rasteve të ndodhura atë ditë.

Por deklaratat e Gjocajt se janë vetëm dy raste të dyshimta që lidhen më gazin Oksidul, i hedh poshtë Prokuroria e Shtetit e cila përmes një vendimi ka urdhëruar mjekësinë ligjorë që t`i zhvarrosin  tre personave në tri lokacione të ndryshme si të dyshuar që mund të kenë qenë viktimë e gazit famëkeq. Edhe eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, thotë se kanë kryer tri autopsi dhe që të tre rastet janë të natyrës së njëjtë.

Gërxhaliu thotë se puna e tyre është vështirësuar ngase sipas tij është vonuar autopsia. Ai shton se hallka zinxhirore është këputur diku prandaj edhe zhvarrosja e kufomave është bërë pas një jave.

Eksperti i çështjeve ligjore bën të ditur se kolegjiumi i mjekëve do t`i propozojë prokurorisë që t`i dërgojë jashtë vendit disa analiza në mënyrë që të dalin me një raport përfundimtar për këtë rast të cilin ai e cilësoj shumë të ndjeshëm.

Në anën tjetër ministria e arsimit si ombrellë e sistemit shëndetësor në vend ende nuk ka kërkuar raport të detajuar nga drejtori i shërbimit spitalor Curr Gjocaj.

Ministri Uran Ismaili ka thënë se sipas ligjit Gjocaj duhet t`i raportojë bordit e pastaj bordi ministrit të Shëndetësisë, por meqë bordi në SHSKUK është jofunksional, kjo gjë ka mbetur pezull.

Ministri Ismaili nuk ka dashur të flasë para kamerës por ka premtuar se shumë shpejt do ta zgjedhë bordin e ri nga i cili do të kërkojë përkushtim maksimal në zgjedhjen e këtij rasti shumë të ndërlikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat